2012-02-26 17:33:14

Siri: njerëz të armatosur hyjnë me forcë në manastrin e Deir Mar Musa


Pak ditë më parë rreth 30 burra të armatosur hynë me forcë në manastirin e Deir Mar Musa, duke i trajtuar brutalisht disa nga rregulltarët. Ngjarjen e treguan anëtarët e bashkësisë, të cilët theksuan se agresorët dukeshin njerëz të mësuar me armë e të lidhur me interesa materiale. Kontrolluan, prandaj, me imtësi mjediset e kuvendit, duke kërkuar armë e para të fshehura, e edhe eprorin, që në atë kohë ndodhej në Damask.
I vendosur në veri të kryeqytetit, manastiri u themelua dhe drejtohet nga atë Paolo dall’ Oglio, jezuit.
Burrat e armatosur pohuan që në fillim se nuk dëshironin të dëmtonin asnjeri - njofton një notë - e veç kontrolleve, që kujtuam më sipër, nuk bënë ndonjë dëm tjetër të madh. Por bashkësia mbetet e shqetësuar për dhunën e përditshme e cila, prej një viti, përshkon tejendanë Sirinë, në mëshirën e ndeshjeve ndërmjet forcave qeveritare e grupeve, që kërkojnë ndryshime. “Pavarësisht nga kjo ngjarje e dhimbshme - nënvizojnë rregulltarët, ne nuk e kemi humbur paqen e shpirtit, e aq më pak, dëshirën për t’i shërbyer pajtimit në vend”.







All the contents on this site are copyrighted ©.