2012-02-26 17:33:48

Në Kubë vijojnë përgatitjet për pritjen e Benediktit XVI


Në Kubë Kisha dhe shteti po bashkëpunojnë për ta organizuar sa më mirë pritjen e Papës në Ishullin karaibik, ku do të jetë për vizitë baritore nga 26 deri më 28 marsin e ardhshëm. Benedikti XVI pritet me një mori nismash fetare nga bashkësia e krishterë vendase, e shtrënguar këto ditë, më shumë se kurrë, rreth Pajtores së Kombit, Zojës së Kobrës, Nënës së dashurisë së krishterë.
Papa do ta vizitojë Kubën 14 vjet pas shtegtimit Apostolik të Gjon Palit II në Ishull, e pak ditë pas përfundimit të Kongresit të Partisë Komuniste e cila, megjithëse vijon të bazohet mbi ideologjinë marksiste, kërkon të hapë rrugë të reja për zhvillimin e shoqërisë.
Profesor Antonio Maria Baggio, pedagod i filozofisë politike në Institutin universitar të themeluar nga Kiara Lubich, flet për atmosferën e pritjes, në mikrofonin tonë, nga Havana, ku ndodhet për një projekt kushtuar formimit të laikëve:

Përgjigje: - Të gjithë citojnë fjalët e atë Lombardit, i cili nënvizoi se Papa shkon për të ndenjur me popullin e Kubës në këtë çast kaq të veçantë. Është fjala për Kongresin e Partisë, që vijon të flasë për besnikëri ndaj marksizëm-leninizmit. Ndërsa, nga ana tjetër, kërkon zhvillimin e jetës shoqërore, duke nisur jo nga lart, nga partia, por nga poshtë, nga masat. Pohime që i bien ndesh njëri-tjetrit, në sa vijon të flitet edhe për kontrollin e rreptë të partisë mbi jetën e njerëzve. Gjëja më pozitive në këtë situatë të dyshimtë, është njohja e rolit të Kishës, përpjekja për të bashkëpunuar me të. Por duhet pasur mirë parasysh se Kisha në Kubë nuk e ka ndër mend të bëhet vegël në duart e qeverisë. Do të bëjë atë, që duhet të bëjë, atë që është e mirë, e dobishme, por pa lejuar të manipulohet nga askush e për hir të askujt, pavarësisht nga llogaritë që mund të jenë bërë lidhur me veprimtarinë e saj. Kjo përpjekje u vërejt edhe kohët e fundit, kur kardinali Ortega ndërmjetësoi pranë Raul Kastros për lirimin e disa të burgosurve politikë. Sepse në Kubë burgjet vijojnë të jenë plot me të ngujuar për shkak të mendimit të lirë e të kundërshtimit të ideologjisë në pushtet, asaj marksiste-leniniste. Ka ende njerëz që vijojnë të besojnë në të, edhe pse i kanë parë mirë pasojat në gjysmën e Planetit.
Gjithsesi, urohet që vendi, më në fund t’ia hapë portat botës, të krijojë mundësi reale për nismat e pavarura, të pakontrolluara nga shteti. Mund të themi se në këtë çast ekzistojnë disa mundësi për të dhënë një kontribut pozitiv, sidomos në fushën e formimit të njerëzve. E këtë po e bën Kisha, në të gjithë Ishullin.







All the contents on this site are copyrighted ©.