2012-02-26 17:32:29

Integrimi i myslimanëve
në Evropë


Është fjala për një shqetësim që, ku më pak e ku më shumë, ndjehet në të gjitha vendet evropiane: rreziku i kërcënimit të identitetit kombëtar nga prania e bashkësive myslimane. Qëndrimet janë nga më të ndryshmet. Lëkunden nga indiferenca, tek asnjanësia. Por një pjesë e mirë e qytetarëve evropianë mbajnë qëndrim të prerë. Ndonëse e pranojnë këtë prani, si pasurim kulturor për vendet e tyre, janë të bindur se integrimi i emigrantëve me besim islamik në shoqërinë evropiane, është një përpjekje tani për tani e dështuar. E kjo, sepse tradita e krishterë dhe kultura laike, nga njëra anë, e praktika myslimane, nga ana tjetër, nuk kanë kurrfarë përkimi. Këto, thënë me dy fjalë, janë disa nga rezultatet e sondazhit “Le regard des européens sur l’islam,” (Ç’mendojnë evropianët për islamin) botuar pak ditë më parë nga Instituti francez i opinionit publik.
Sot në Evropë jetojnë rreth 12-13 milionë myslimanë, në gjirin e një popullsie prej 377 milionë banorësh. Përbëjnë, kështu, mesatarisht, 4% të popullsisë, sidomos në qytetet e mëdha.
Studimi u realizua në prill 2011 në Francë, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar e në Vendet e Ulëta, katër kombet evropiane, që mendohet se strehojnë numrin më të madh të myslimanëve në trojet e tyre e që kanë zgjedhur rrugë të ndryshme përsa i përket temës së emigracionit dhe të modeleve shumëkulturore.
Në se është e vërtetë se shumica relative (që shkon nga 47% në Mbretërinë e Bashkuar, në 40% në Gjermani) e shikon praninë myslimane si kërcënim për identitetin kulturor dhe traditën e krishterë të shoqërisë, është po aq e vërtetë edhe se rreth 50% e të intervistuarve shprehu qëndrim indiferent, asnjanës ose pozitiv për problemin, duke e shikuar praninë islame në Evropë edhe si faktor pasurimi kulturor. Shumica e atyre, që mendojnë kështu, janë të rinj, nën moshën 35 vjeçare. Për shumë evropianë, praktikisht, problemet që lidhen me emigracionin dhe me rolin e islamit në shoqëri, vijnë pas problemeve të punës e të aftësisë blerëse, më të mprehtat, krijuar nga rëndimi i krizës ekonomike. Ndërsa, po të ndalohemi në në katër vendet kryesore, që e konsiderojnë dështim çdo përpjekje të deritanishme për integrimin e myslimanëve në shoqëritë evropiane, do të vërejmë se në Hollandë janë të këtij mendimi 77% e banorëve vendas; në Gjermani, 75%; në Francë, 68% e në Britani, 65% e banorëve. Sipas tyre, fajin e ka mospërkimi ndërmjet praktikës islamike, nga njëra anë, e traditës së krishterë ose laike, nga ana tjetër. Vijnë, pastaj, ndryshimet kulturore, mbyllja brenda bashkësisë, e favorizuar edhe nga qëndrimet politike lokale. Por, sidomos, gjithnjë sipas këtij këndvështrimi, fajin e kanë edhe vetë myslimanët, që nuk duan të integrohen.
Një e dhënë tjetër e sondazhit Ifop, thekson se ka shumë rëndësi që islami të respektohet njëlloj si besimet e tjera, por duke pasur parasysh që manifestimet e kultit të mos e cenojnë parimin e laicitetit e, sidomos, që feja të mos jetë bazë e ideologjisë së një partie ose e një personaliteti politik..







All the contents on this site are copyrighted ©.