Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1-të të Krezhmëve ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunën me Fjalën e Zotit të së dielës, e kësaj
radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së parë të kohës së Krezhmëve, ciklit të dytë. Shumë të dashur
vëllezër e motra e të nderuar dëgjues të Radio Vatikanit, gëzohem që takohemi përsëri
në këtë kohë të fortë dhe të bukur shpirtërore e liturgjike të kreshmëve, kohë që
Kisha na ofron për ripërtëritjen e mendjeve e të zemrave tona me Fjalën e Zotit. Në
ketë të diele të parë të Kreshmëve, nisim rrugëtimin shpirtërore që do të na çojë
drejt Pashkës së Ngjalljes. E të nisesh drejt Pashkës do të thotë të “ngjitesh” drejt
Jerusalemit. Në udhën drejt festës së çlirimit tonë t’i njohim, t’i pranojmë mëkatet
tona, t’i kërkojmë Zotit falje e të pajtohemi me të afërmin tanë. Leximet biblike
të dielave të krezhmëve, na shoqërojnë pikërisht në zbulimin e fytyrës së Zotit dashuri
dhe në zbulimin e pagëzimit tonë në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Janë lexime që përmbajnë
shpalljen e madhe të asaj çfarë Zoti bëri për shëlbimin e njerëzimit, janë një katekizëm
i mirë pagëzimor. Në këtë të diele të parë të krezhmëve, e cila ndryshe quhet edhe
e diela e tundimit, leximi i Ungjillit nga Marku, na përshkruan tundimet e Jezusit
në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të krezhmëve që fillon
nën shenjën e luftës së brendshme, që e pret njeriun në zgjedhjet e tij përfundimtare.
E përcaktimi për Hyjin Atë është një nga këto zgjedhje përfundimtare që Jezusi na
mëson me jetë e këshillon me fjalë edhe neve, t’i biem mohim djallit e së keqes e
ta përqafojmë udhën e Jetës që Zoti na tregon e ofron.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Zan 9, 8-15
Hyji
shpëton Noehin dhe familjen e tij nga përmbytja nëpërmjet arkës dhe i ofron Besëlidhjen
e tij. Mendohej se ylberi ishte si harku i shigjetarit me të cilin Hyji hidhte mbi
njerëzit vetëtimat e njëjta me shigjetat hakmarrëse. Tani Hyji e përdor Ylberin si
shenjë të Besëlidhjes që u jep qetësi të gjitha stuhive të zemrës njerëzore. Ylberi
bëhet shenjë e vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit që na shpëton.
Lexim
prej Librit të Zanafillës
Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij:
“Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj pas jush, e me
çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë
e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju – mbarë,
të gjitha gjallesat e tokës. Unë po lidhi besëlidhjen time me ju: nuk do të zhbihet
më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton
tokën.” Dhe Hyji tha: “Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet
meje e juve dhe me çdo gjallesë që është me ju për breznitë e ardhshme. Ylberin tim
do ta vë në re dhe do të jetë shenja e besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës. Kur me
re ta mbuloj qiellin, në re do të duket ylberi im, do të më kujtohet besëlidhja ime
me ju e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë, ujë përmbytjeje më s’do të ketë
për të zhbirë mbarë frymorët.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi
25
Udhët e Zotit janë e vërteta dhe mëshira
Bëj t’i
njoh, o Zot, udhët e tua e m’i mëso shtigjet e tua. Më drejto me të vërtetën
tënde dhe më mëso, sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
Të të bien në mend mëshirat
e tua, o Zot, dhe dashuria jote që është e amshueshme. Mos i kujto fajet e rinisë
sime e paudhësitë: të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate, për hir të mirësisë
sate, o Zot.
I ëmbël e i drejtë është Zoti, mëkatarët i kthen në udhë të
drejtë, të përvujtëve u prin në drejtësi, të butëve ua mëson udhën e vet.
Leximi
i dytë 1 Pjt 3, 18-22 Nga përmbytja universale shpëton vetëm Noehi
duke u mbyllur në arkë pa mundur të shpëtojë vëllezërit e tij. Ndërsa Jezusi nuk
shpëtohet i vetëm nga katastrofa e vdekjes. Qëndron i bashkuar me të gjithë njerëzimin,
duke zbritur në thellësinë e vdekjes i nxjerr jashtë dhe i shtyn të angazhohen në
shërbim të Hyjit dhe të vëllezërve. Përmbytja është imazhi i pagëzimit, që shlyen
mëkatet dhe na bën të hyjmë në një besëlidhje të re me Hyjin. Lexim prej
Letrës së parë të shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, Krishti një herë
vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend
i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Në të edhe shkoi t’u predikojë
shpirtrave në burg, që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën
e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë – vetëm tetë frymë – shpëtuan
me ujë. Ky ujë – shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon – ky nuk është pastrim
ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit, për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen
e Jezu Krishtit, që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi
engjëjt, pushtetet dhe fuqitë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin. Lavdi
ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. Lavdi ty, o Krisht, Mbret i
lavdisë së amshuar!
Ungjilli Mk 1, 12-15 Ungjilltari
Marku na tregon për Jezusin që u tundua nga Djalli dhe në fund del fitimtar. Paraardhësi
i tij Gjoni pasi e prezantoi Jezusin para turmës si Mesia, dënohet me vdekje. Jezusi
fillon shpalljen e mbretërisë së Hyjit dhe do të bëhet shërbëtori i vuajtur, jeta
e të cilit do të ofrohet si sakrificë për shpëtimin e të gjithëve. Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Markut Fill pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin
të shkojë në shkreti. Në shkreti qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit.
Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në
Galile. Atje predikonte Ungjillin. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është
ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!” Fjala e Zotit. Lavdi
të qoftë ty, o Krisht.
Me tepër mbi liturgjinë Fjalës Hyjnore te dielës
se Pare te krezhmëve, mund te dëgjoni këtu......