Përkujtojmë sot 100 vjetorin e botimit të “Fiala e T’in’ Zot”, te arbëreshët e Sicilisë. Më
25 shkurt të vitit 1912 nisi të dilte fletëpalosja e parë “Fiala e T’in’ Zot” në fshatin
e Arbëreshëve ‘Hora e Arbëreshëve’, mbi Palermo, një revistë për të ndihmuar besimtarët
të që merrnin pjesë në kremtimin e Meshës së Shenjtë, në gjuhën arbënore. Prandaj
“Fiala e T’in’Zoti” ka një meritë të jashtëzakonshme, me të nis përpjekja për t’i
pajisur arbëreshët e krishterët me fletën e përshtatshme, që t’u mundësonte besimtarëve
një pjesëmarrje më të gjallë e në mënyrë aktive në kremtimet liturgjike si ajo e Fjalës
Hyjnore dhe e Eukaristisë së Shenjtë. Natyrisht, ishte tepër shpejt të pretendohej
për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë, që nisi të dilte në fshatin
e Arbëreshëve mbi Palermo, tek Hora e Arbëreshëve më datën 25 shkurt të vitit 1912,
përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të Kreshmëve (Jani (Gjoni) 1,44-52),
komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb
11,24-26;32-49). Si fletëpalosje e sotme, kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori
i fletëpalosjes ishte Pal Schiroi me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrotën
dhe papas Gjergj Dorangrikjen. Kujtojmë se përpjekjet e para për t'i pajisur besimtarët
me fletëpalosje të Meshës në Shqipëri, do të ishin fryt i penës të Atë Vinçenc Prennushit,
i cili nisi ta botonte fletëpalosjen e vet, tri vjet pas mbylljes së fletpalosjes
arbëreshe, më 1918, duke e quajtur krijesën e vet njëlloj: "Fjala e Tynzot".