2012-02-24 17:54:00

Selia e Shenjtë e pranishme në takimin e Tunizit për Sirinë


Selia e Shenjtë, e ftuar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Tunizisë, mori pjesë sot në Takimin e Grupit “Friends of Syria’, ‘Miqtë e Sirisë’, që u mbajt në Tuniz.
Selia e Shenjtë, e pranishme si vëzhguese, përfaqësohej nga Shkëlqesia e Tij, imzot Michael Louis Fitzgerald, Delegat i Selisë Apostolike pranë organizatës së Lidhjes të Shteteve Arabe dhe Nunc Apostolik në Egjipt.
Kjo pjesëmarrje ishte shenjë e qartë e dëshirës për t’i treguar afërsinë dhe solidaritetin e Selisë së Shenjtë mbarë popullit sirian si dhe e interesimin e Saj për të mirën e gjithë shoqërisë e të zonës, që ka aq shumë nevojë për paqe e stabilitet.
Prandaj Selia e Shenjtë deshi të vërë në dukje parimet e shprehura nga Benedikti XVI në thirrjen pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të 12 shkurtit të kaluar.
Ishte thirrje e fuqishme për t’i dhënë fund dhunës e gjakderdhjes;
ftesë drejtuar të gjithëve, e posaçërisht autoriteteve politike në Siri, për të zgjedhur rrugën e dialogut, të pajtimit e të impenjimit për paqen;
nënvizim i urgjencës për t’iu përgjigjur shpresave të pjesëtarëve të ndryshëm të Kombit, ashtu si edhe dëshirave të bashkësisë ndërkombëtare, që shqetësohet për të mirën e përbashkët të mbarë shoqërisë e të zonës;
theksim i veprimtarisë për t’u siguruar të gjithë anëtarëve të shoqërisë, duke përfshirë edhe pakicat, e në mënyrë të veçantë të krishterët, mundësinë që të japin kontributin e tyre për ndërtimin e vendit, karakterizuar nga një histori e gjatë bashkëjetese paqësore ndërmjet komponenteve të ndryshme të kombit;
së fundi, kujtesë për impenjim urgjent, që viktimave të dhunës, të mos u mungojë ndihma e nevojshme, përmes asistencës humanitare.Kujtojmë se Papa ndjek me vëmendje të madhe episodet dramatike të dhunës në rritje, që po trondisin rëndë Sirinë, duke shkaktuar një numër gjithnjë më të madh të vdekurish. I kujton çdo ditë në lutje viktimat, ndërmjet të cilave, shumë fëmijë, të plagosurit dhe të gjithë ata, që vuajnë pasojat e një konflikti gjithnjë më tronditës.







All the contents on this site are copyrighted ©.