Papa Rrethit të Shën Pjetrit: bamirësia është zemra e jetës së krishterë
Takimi me tjetrin dhe hapja e zemrës, për ta ndihmuar në çaste të vështira, janë raste,
që ndihmojnë për shëlbim dhe lumturim. Këtë theksoi sot Papa, duke u takuar pak ditë
pas kremtimit të Festës së Katedrës së Princit të Apostujve, me anëtarët e Rrethit
të Shën Pjetrit, të cilët shfrytëzuan rastin për të shprehur edhe një herë besnikërinë
ndaj Selisë Apostolike. Papa i përshëndeti përzemërsisht të gjithë anëtarët, të shoqëruar
nga ndihmësi kishtar, imzot Franko Kamaldo e të kryesuar nga kryetari i përgjithshëm,
Duka Leopoldi i Torlonies. Në fjalën drejtuar Papës, Duka Leopold kujtoi se Rrethi,
me impenjimin e të gjithë anëtarëve të tij, përpiqet t’u përgjigjet sa më mirë kërkesave
për ndihmë, kohët e fundit në rritje të vazhdueshme. Bamirësia, si zemër e jetës
së krishterë. Ky ishte thelbi i fjalimit, që u drejtoi Papa anëtarëve të Rrethit të
Shën Pjetrit, themeluar në Romë, në vitin 1869, impenjuar në shumë veprimtari bamirëse
e asistenciale. Kreshmët, që sapo filluan, kujtoi Benedikti XVI, janë kohë e përshtatshme
që, me ndihmën e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve, të përtërihemi në fe e në dashuri,
ne vetë, e edhe bashkësitë tona. Jemi duke përshkuar një rrugë shpirtërore, që kërkon
pendesë e ndihmë, heshtje e agjërim, në pritje të gëzimit të Pashkëve. Besnikëria
jonë ndaj Ungjillit, nënvizoi Papa, vërtetohet edhe mbi bazën e vëmendjes e të kujdesit,
që tregojmë për të afërmit, posaçërisht për më të varfërit, më të braktisurit, më
të ligështit, duke dëshiruar të mirën e tyre në të gjitha aspektet: fizike, morale
e shpirtërore. “Edhe pse kultura bashkëkohore duket sikur nuk e kupton më
ç’është e mirë e ç’është e keqe, duhet ripohuar me forcë se e mira ekziston e fiton.
Përgjegjësí ndaj të afërmit do të thotë t’ia duash të mirën tjetrit, ta shikosh duke
ecur sipas logjikës të së mirës. Të interesohesh për vëllanë, do të thotë të hapësh
sytë për të parë nevojat e tij, duke e kapërcyer zemërgurtësinë, që na bën të verbër
përballë shqetësimeve e mungesave të tjetrit. Kështu shërbimi bamirës bëhet një formë
e zgjedhur e ungjillëzimit, në dritën e mësimeve të Krishtit i cili, atë që bëjmë
për vëllezërit tanë, posaçërisht për më të vegjëlit e më të harruarit, do ta vlerësojë
si ndihmë, të cilën ia kemi dhënë Atij vetë”. Më pas, një reflektim për
kuptimin që ka ndihma ndaj të afërmit, hapja e zemrës, për ta kuptuar e për ta ndihmuar
të afërmin. Duke marrë shtytje nga Letra drejtuar Hebrenjve, Papa i nxiti mysafirët
të jenë sa më të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, “Të kujdesen për njëri-tjetrin,
duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira”, frazë, kjo, e shkëputur nga Kapitulli
X i Letrës drejtuar hebrenjve, e titull i Mesazhit kreshmor të Atit të Shenjtë: “Duhet
ta harmonizojmë zemrën tonë me Zemrën e Krishtit, të mos mjaftohemi vetëm me ndihmën,
që u japim të tjerëve, por të ndajmë me ta edhe vuajtjet e shpresat, duke e bërë,
kështu, të dukshme, mëshirën e pafundme të Zotit për çdo njeri, që shkëlqen mbi fytyrën
e Krishtit e, nga ana tjetër, edhe besimin tonë në Të. Takimi me tjetrin e hapja e
zemrës për nevojat e tij, janë rast shëlbimi e lumturie”. Nga ana tjetër,
vijoi Benedikti XVI, sot, ashtu si dje, dëshmia e dashurisë së krishterë e prek në
mënyrë të veçantë zemrën e njerëzve. Ungjillëzimi i ri, posaçërisht në një qytet kozmopolit
si Roma, kërkon, vërejti akoma Papa, gatishmëri ndaj nevojave të të gjithëve. Në rrethana
të tilla inkuadrohet veprimtaria e Rrethit të Shën Pjetrit, me rrjetin e ndihmave,
që u jep çdo ditë nevojtarëve, nga kuzhinat për të varfërit, tek strehët e natës,
shtëpitë-familje e qendrat shumëfunksionale, pa harruar edhe dëshminë e heshtur, por
jashtëzakonisht shprehëse, të ndihmës, që u jepet të sëmurëve dhe familjarëve të tyre
në Hospice Fondazione Roma, impenjimin misionar në Laos dhe bijësimin nga larg.
Anëtarët
e Rrethit të Shën Pjetrit, ashtu si çdo vit, i dorëzuan Benediktit XVI “Lëmoshën për
bamirësinë e Papës”, që njihet me emrin “Oboli i Shën Pjetrit”, mbledhur në famullitë
romake: “Kjo lëmoshë është ndihmë konkrete ofruar Pasardhësit të Shën Pjetrit,
që të mund t’u përgjigjet kërkesave të panumërta, nga të katër anët e botës, posaçërisht
nga vendet më të varfëra”. Kështu Papa e falënderoi Rrethin për të gjitha
veprimtaritë, që kryen me bujari e shpirt flijimi, lindur nga feja e nga lidhja me
Zotin, e thelluar ditë për ditë, kujtoi Ati i Shenjtë. Më pas uroi që feja, bamirësia
dhe dëshmia të jenë gjithnjë vija udhëheqëse të apostullimit të çdo anëtari të organizatës,
e cila impenjohet edhe për të qenë e pranishme gjatë kremtimeve në Bazilikën e Shën
Pjetrit, rast me të cilin dëshmon përkushtimin dhe besnikërinë e devotshme ndaj Selisë
së Princit të Apostujve. Në përfundim të takimit, Papa i bekoi gjithë të pranishmit,
duke u lutur që Zoti t’i ndihmojë për të realizuar thirrjen e tyre të krishterë në
familje, në punë dhe në veprimtarinë e Rrethit.