2012-02-24 18:09:24

Më 24 shkurt kalendari shënon shën Modestin e Trevirit, ipeshkëv


Po të shfletojmë me vëmendje kalendarin kishtar, do të gjejmë dhjetë shenjtorë, që mbajnë emrin Modest. Emri nis të dëgjohet që në shekujt e parë të krishterimit, kur i jep fesë së Krishtit Shën Modestin, martirizuar në një datë të papërcaktuar, që kremtohet më 12 janar si dhe gjashtë martirë të tjerë me të njëjtin emër, që derdhën gjakun për Krishtin ndërmjet viteve 100-300. Modest quhej edhe njëri nga Patrikët e Shenjtë të Jeruzalemit, që kremtohet më 17 dhjetor si dhe dy të Lum, françeskani martir i Barcelonës, Modesti, mbytur jo më në shekujt e parë të krishtërimit, por në vitin a afërt 1936, dhe i Lumi Modest , kapuçin spanjoll, martirizuar në të njëjtin vit, në Alboskater. Ndërmjet tyre, Shën Modesti që kremtohet sot. Jeta dhe martirizimi i tij humbën në mjegullën e shekujve. Dihet vetëm se ishte ipeshkëv, se u martirizua në vitin 489, në Treviri e se kremtohet më 24 shkurt.Kujtojmë se Modest do të thotë njeri i thjeshtë, kokulur. Emër vërtet i përshtatshëm për kohët tona! Ndoshta prandaj shkruhet kaq pak për dhjetë shenjtorët me këtë emër. Modestët nuk dëshirojnë të flitet shumë për ta, e aq më pak, të flasin për vetveten!







All the contents on this site are copyrighted ©.