2012-02-24 18:08:44

Dialogu Kosovë-Serbi përfundon me marrëveshje


Dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nën mbikëqyrjen e BE-së, ka përfunduar në Bruksel me marrëveshjen lidhur me përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal. Marrëveshja është arritur mbi dy pika: pjesëmarrjen e Kosovës në Forumet rajonale e BE-Ballkanit; dhe aplikimin operativ, do të thotë zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, në mënyrë të veçantë menaxhimin e tërësishëm të kufijve.
Pra, raundi i nëntë i dialogut të parashikuar në rezolutën 64/298 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u zhvillua me ndërmjetësimin e BE-së nga data 22 deri më 24 shkurt, në Bruksel.
Takimi u drejtua nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper. znj. Tahiri kryesoi delegacionin kosovar, ndërsa zoti Stefanoviç kryesoi delegacionin serb.
Takimi u mbështet mbi diskutimet e tetë raundeve të mëparshme të bisedimeve, që prej nisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mars të vitit 2011, si dhe në punën e kryer nga grupe të ndryshme teknike të punës.
Palët arritën marrëveshje lidhur me përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dy palët konfirmuan angazhimin e tyre ndaj vlerave themelore të BE-së mbi bashkëpunimin përfaqësues rajonal të efektshëm dhe përfshirës.
Marrëveshja i lejon Kosovës që të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në emrin e saj dhe të flasë në emër të saj në të gjitha takimet rajonale. (Deri tani marrëveshjet në emër të Kosovës janë nënshkruar nga misioni i OKB-së në Prishtinë, UNMIK.)
Kosova, do të jetë emërtimi i vetëm që do të përdoret dhe teksti i shënimit zyrtar në fund të faqes do të jetë si vijon: "Ky titull (përcaktim) është pa paragjykim lidhur me qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës".
Të dy palët gjithashtu përfunduan një protokoll teknik lidhur me zbatimin e marrëveshjes mbi Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që është arritur më 2 dhjetor 2011.
Kjo i shndërron konkluzionet e dhjetorit në marrëveshje funksionale. Kjo do t'u mundësojë palëve të përfshira që të nisin punën për zgjidhjen e çështjeve teknike të tilla si buxheti, modeli apo vendi ku do të vendosen objektet e stafit të kufirit.
Takimi shërbeu gjithashtu si mundësi për të rishikuar progresin lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Palët pranuan se ishte shënuar progres dhe u angazhuan që të procedojnë më shpejt në këtë proces.
Në këtë kontekst, palët në veçanti presin zhvillimin e një mbledhjeje të grupit të punës mbi Regjistrin Civil, javën e ardhshme, me qëllim përshpejtimin e ritmit të zbatimit të marrëveshjes në këtë aspekt.







All the contents on this site are copyrighted ©.