2012-02-24 18:29:35

Ashton e Fule: marrëveshja Prishtinë - Beograd hap vendimtar përpara


Përfaqësuesja e Lartë e be/Nënkryetares Catherine Ashton dhe Komisionari Stefan Füle, në një deklaratë për shtyp përshëndetën marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të dialogut Beograd -Prishtinë, në Bruksel.
"Ne mirëpresim marrëveshjet e arritura sot për bashkëpunimin rajonal dhe për zbatimin e menaxhimit të integruar të pikëkalimeve. Këto marrëveshje janë një hap vendimtar përpara drejt shtegut evropian. Ato janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për stabilitetin e rajonit dhe në këtë mënyrë edhe për BE-në", thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ashton dhe Fule vlerësojnë se "të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë dhënë mbështetjen e tyre për Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të shtatorit të vitit 2010, e cila ka nisur dialogun në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Qëllimi i këtij dialogu është të ndihmojë të dyja palët për të arritur progres në rrugën e tyre drejt Evropës".
Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë/Nënkryetarja Ashton përgëzoi "të dyja palët për këto dy marrëveshjeve substanciale. Njëra do të funksionalizojë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve. Tjetra do të konsolidojë bashkëpunimin rajonal dhe siguron që të gjithë të jenë të përfaqësuar në mënyrë të duhur. Të dyja këto janë hapa të mëtejshëm përgjatë rrugës evropiane".
Sa i përket Serbisë, këto marrëveshje për bashkëpunim rajonal dhe menaxhimin e integruar te pikëkalimeve janë veçanërisht të mirëpritura në kuadrin e diskutimeve në Këshill javën e ardhshme lidhur me statusin e kandidatit për Serbinë, u shpreh znj. Ashton.
Ndërsa, përsa i përket Kosovës, vijoi ajo, "kjo është e rëndësishme sepse e bën Kosovën një pjesëmarrëse të plotë në të drejtën e vet në takimet dhe ngjarjet rajonale dhe do të lejojë përparim të mëtejmë të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në".
"Kosova kështu do të ndjekë të njëjtin kurs evropian si gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me perspektivën e saj evropiane. Në këtë aspekt, Komisioni propozon nisjen e një studimi të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së", u shpreh Ashton.
Ndërsa Komisionari për zgjerim dhe politikat e fqinjësisë Evropiane, Stefan Fule, theksoi se "kjo marrëveshje demonstron angazhimin e të dyja palëve për të ardhmen e tyre të përbashkët Evropiane. Marrëveshja e sotme gjithashtu përforcon bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe agjendën e zgjerimit për rajonin e Ballkanit Perëndimor".







All the contents on this site are copyrighted ©.