2012-02-23 12:42:32

Papa klerit romak: analfabetizmi fetare dhe kriza e thirrjeve meshtarake janë problemet e Kishës


Në takimin tradicional të krezhmëve me klerin romak, Papa u kërkoi priftërinjve të jenë të përvuajtur e të mos mbështetën në opinionin e botës.
Sot Benedikti XVI ia dorëzoi klerit të Romës ‘Rregulloren e jetës’. Gjatë takimit tradicional të përvitshëm të krezhmëve me klerin romak, mbajtur sot paradite në Vatikan, pas ligjëratës ‘lectio divina’ mbi një fragment të Letrës së shën Palit drejtuar Efezianëve, kreu 4,1-16, Ati i Shenjtë Ratcinger u dorëzoi priftërinjve famullitarë, me synim që t’u shpërndahet të gjithë meshtarëve të qytetit, tekstin me titull “I zgjedhur nga Zoti për të tjerët”, botuar nga shtëpia botuese Paoline. Siç lexohet në parathënie të këtij dokumenti, shkruar nga kardinali vikar i dioqezës së Romës, Agostino Vallini, fjala është për “një rregullore të jetës, jo si përmbledhje rregulloresh por në kuptimin e idealit të thirrjes meshtarake. Prandaj është më mirë të themi se flitet për një skemë shpirtërore, për një udhërrëfyes që i shërben së mirës së meshtarëve”, shkruan kardinali Vallini.
“Vuajtja e madhe e Kishës në Evropë e në perëndim – tha Papa sot - është mungesa e thirrjeve meshtarake”. Por Zoti thërret përherë, prandaj duhet ta dëgjojmë thirrjen e Tij hyjnore. Benedikti XVI i ftoi priftërinjtë të jenë të përvuajtur, të butë, të jenë zemërgjerë e bujar. Në veçanti, pohoi Papa, pikërisht “atëherë kur unë jam i përvuajtur, e kam lirinë ta kundërshtoj mendësinë dominuese që i kundërvihet planit të Zotit e thirrjes sime”. “Kjo përvujtëri – shtoi Ati i Shenjtë – më jep fuqinë e së vërtetës”. Më tutje unë duhet të di të pranojë në Kishë edhe vendet e rolet më të vogla, por që para syve të Zotit janë të mëdha”.
Një problem tjetër i madh i Kishës aktuale, vijoi Ati i Shenjtë Ratcinger, është analfabetizmi fetar. “Duhet ta marrim përsëri në dorë përmbajtjen e fesë, nënvizoi Papa, por jo si paketë dogmash. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’u ripërtëri e për të bërë në mënyrë që Krishti të njihet nga çdo njeri”. Për të arritur këtë, duhet të vihemi në dëgjim të “thirrjes së Zotit” e t’i shmangemi mentalitetit shekullar siç është karriera, pushteti e synimet tjera që nuk përkojnë me vullnetin e Krishtit e as me thirrjen meshtarake. Pra Ati i Shenjtë Benedikti XVI sot kritikoi përsëri karrierizmin e pushtetin në Kishë. Duhet të lirohemi nga kjo vetëmburrje, nga këto lavdi të gabuara e të jemi të përvuajtur”. Sipas Papës, kjo përvujtëri “më sjell të dua dhe të synojë jo për t’u dukur e për t’u vlerësuar, por për të bërë atë që Zoti ka e menduar me mua, duke e konsideruar vetev përherë si pjesë të pandashme të Trupit të Krishtit, që është Kisha”. “Të pranosh vetveten, të pranosh tjetrin – shtoi Papa – janë dy gjëra që shkojnë së bashku njëra me tjetrën, e pikërisht kjo është harmonia e madhe e Kishës dhe e Krijimit: fakti që ndryshojmë njëri nga tjetri. Duke qenë i përvuajtur unë jam i lirë të kundërshtoj një familjarë timin, ta kundërshtojë mendësinë e gabuar të botës, në emër të “lirisë e të së vërtetës””. “Të sillemi pra, në mënyrë të denjë, sipas shembullit të Jezu Krishtit Zot e t’i udhëheqim të tjerë në udhën çon tek Ai”. “Zoti – nënvizoi Papa Ratcinger duke iu drejtuar klerit të dioqezës së Romës – na ndihmoftë të jemi ndërtues të lirisë së Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.