Më 23 shkurt kalendari kujton shën Polikarpin e Izmirit
Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir,
nxënës i Shën Gjonit Apostull. Polikarpi, pra i njohu nga afër Shën Gjonin Apostull
dhe të tjerët apostuj që e kishin parë Zotërinë Jezus. Prandaj na paraqitet si dëshmitar
i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar
filipianëve e maqedonëve të krishterë. Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi,
duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi
koha të dilte haptas e publikisht, diti ta mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm
fenë e vet në Krishtin. Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën
e 23 shkurtit të vitit 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike
e liturgjike. I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në
dokument – Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke
tundur kokën: “Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si
të blasfemoj kundër Mbretit tim që më shëlboi? - A e di se mund të të djeg
përsëgjalli? – i tha Prokonsulli. - Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji
Shën Polikarpi – të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit
të amshuar të dënimit!” E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit
të Smirnës (Izmirit të sotëmnë Turqi)), Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër,
por nga zemra: “O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga
Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt
së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!”. E sakaq,
trupi i pjekur nga zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë
dokumenti i përmendur- vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar dëshmie në
Krishtin e Gjallë.