2012-02-23 17:24:08

20 vjetori emigracionit shqiptar në Itali më 2 mars në Tiranë


.“20 VJET EMIGRACION SHQIPTAR NË ITALI. Të dhëna, përsiatje, njerëz, politika dhe perspektiva të ardhshme”
Ky është titulli i Konferencës së organizuar nga INAS, RAT, AGORÀ e FAI CISL, që do të zhvillohet në Tiranë, më 2 mars 2012, ora 9.00 – 17.00, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Blv. Gjergj Fishta, nr. 52.
Si paraqitet profili i emigracionit shqiptar në Itali pas 20 vjet emigracion? Sa shqiptarë banojnë e si janë të shpërndarë në territorin italian? Ku punojnë kryesisht? Cila është gjendja civile e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë? Po ndarja sipas gjinisë? Sa të mitur e pensionistë shqiptarë jetojnë përtej detit? Çfarë bëhet për mbrojtjen e të drejtave të tyre? Cilat janë politikat që ndjek shteti italian në fushën e imigracionit? Po qeveria shqiptare çfarë strategjie po ndjek në lëmin e emigracionit? Çfarë imazhi kanë bashkatdhetarët tanë në Itali? Cilat janë perspektivat e ardhshme të emigrantëve shqiptarë? Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, lidhur me një nga dukuritë më të rëndësishme sociale, do t’u përgjigjen studiuesit, politikanët, gazetarët, diplomatët, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme, pra një sërë autoritetesh të fushës, italiane e shqiptare, që janë ftuar të japin kontributin e tyre në konferencë.
Konferenca bëhet nën patronazhin e Ambasadës italiane në Tiranë dhe të Ministrisë së Punës, çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta.







All the contents on this site are copyrighted ©.