2012-02-22 18:58:08

Siri: kryeipeshkvi i Damaskut kujton vuajtjet e popullsisë


Në situatën e rëndë, që po kalon Siria, spiranca e vetme e shpëtimit për popullin, është familja. Kështu shkruan kryeipeshkvi maronit i Damaskut, imzot Samir Nasar, në letrën baritore për Kreshmët 2012. Prelati i fton besimtarët të luten për familjen, të cilën Kisha do ta ndihmojë, duke i dhënë gjithë mbështetjen e mundshme. Familja, shpjegon imzot Nasar, ëshë vatër e jetës, e mbrojtjes, e shpëtimit; qelizë e vogël e shoqërisë. Paqton zemrat e tronditura për vdekje të njerëzve, që ikin, duke lënë pas gjithçka krijuan një jetë të tërë; të atyre, që nuk gjejnë punë, që plagosen për ditë në pështjellimet e rrugëve e të shesheve. Familja është mburojë, përballë zbraztësisë e kaosit; është jeta e shoqërisë dhe e Kishës. Në krizën lokale e zonale, tani edhe ndërkombëtare, Siria është udhëkryq interesash politike, ushtarake, ekonomike, pohon imzot Nasar, e pikërisht prej tyre varet e ardhmja, ndërsa e sotmja vijon të jetë peng në duart e të interesuarve, që nuk ngurrojnë t’i hapin portat dhunës e vuajtjeve. Masat ndëshkimore ekonomike, inflacioni, zhvleftësimi i monedhës vendase, papunësia, për kryeipeshkvin, e kanë vënë në provë të rëndë popullin, duke i shkaktuar vuajtje të reja, në kushtet e thellimit të urrejtes e të përçarjeve si dhe të mungesës së lëvizjeve bamirëse e humanitare. Të hyjmë në Kreshmë të heshtur, fton kryeipeshkvi, me duar bosh, me sytë të ngulur tek Krishti i ngjallur, duke iu lutur të na prijë në rrugën e faljes e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.