2012-02-22 15:35:59

Papa për Fushatën e Vëllazërimit në Brazil: shërbime shëndetësore për një numër më të madh personash


T’u garantohen shërbimet shëndetësore një numri gjithnjë e më të madh njerëzish: ky është urimi i Papës Benedikti XVI në Mesazhin për Fushatën e Vëllazërimit, që zhvillohet çdo vit në Brazil, gjatë Krezhmëve. Ati i Shenjtë bën thirrje që besimtarët të kujdesen jo vetëm për problemet fizike, por edhe për ato shpirtërore të të sëmurëve, duke pasur parasysh se ata vuajnë më shumë nga vetmia, se sa nga vetë sëmundja.RealAudioMP3
“Vëllazërimi dhe shëndetësia publike” është titulli i Fushatës së ipeshkvijve brazilianë, me të cilët bashkohet edhe Papa, duke i bërë të vetat – shkruan në Mesazh – “gëzimet e shpresat, trishtimin dhe ankthin e secilit” prej të sëmurëve, por edhe duke shpresuar që nisma ta nxisë politikën të punojë për zgjerimin e gamës së personave, që kanë të drejtë të kurohen nga shteti. Kishës, Benedikti XVI i kujton se për të krishterin, shëndeti i kapërcen kufijtë e trupit. Kur Jezusi shëron të paralizuarin, siç na tregon Ungjilli, së pari i fal mëkatet, duke na mësuar kështu, se shëndeti i vërtetë është ai i shpirtit. Prandaj, Papa uron që besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të jenë solidarë me të sëmurët e të mos i lënë ata vetëm me sëmundjen e tyre. E bukur, edhe lutja e Benediktit XVI, me të cilën Papa i drejtohet Zojës së Aparesidës, duke i kërkuar, përveç përparimit shoqëror e shëndetësor të Brazilit, edhe shenjtërimin e jetës së banorëve; përveç begatisë ekonomike, edhe shpërndarjen e barabartë të pasurisë; përveç shërbimit të përshtatshëm publik, edhe barazinë e të gjithëve para pushtetit, i cili duhet ushtruar në mënyrë vëllazërore. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e nderit të San Paolos, kardinalin Klaudio Humes:
Çështja e shëndetit është një e drejtë themelore, që të gjithë duhet ta kërkojmë e ta promovojmë, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Gjatë këtyre Krezhmëve, Kisha në Brazil dëshiron të reflektojë sidomos për shëndetin dhe shëndetësinë, duke e ftuar shoqërinë të bëhet e vetëdijshme për këtë aspekt të jetës. Mendoj se është bërë shumë, por akoma mbetet shumë për të bërë, sidomos për të varfërit. Akoma, 16 milion brazilianë jetojnë nën pragun e varfërisë. 10-12 vjet më parë përbënin 40% të popullsisë, por gjatë viteve të fundit, 20-25 milion vetë kanë dalë nga gjendja e varfërisë. Ky është një hap i madh përpara për Brazilin. Natyrisht, ndër të varfërit, çështja e shëndetit dhe e kurimit të tij është një nga më problematiket. Shumë prej tyre nuk kanë mundësi as t’u afrohen strukturave publike shëndetësore, prandaj vuajnë nga çdo lloj sëmundjeje. Kjo ndodh për shembull, me indiosit e Amazonës. Çështja është urgjente, pasi indiosit kanë një sistem imunitar të dobët para epidemive, që ne i kemi përhapur në mesin e tyre. Fushata e Vëllazërimit synon të zhbllokojë fonde dhe investime për t’i zgjidhur këto probleme.







All the contents on this site are copyrighted ©.