2012-02-22 18:57:35

Irak. Imzot Shleiman: Kreshmët do ta përforcojnë shpresën.


“Iraku nuk i ka zgjidhur problemet e veta. Jemi në gjendje amullie politike dhe ekonomike. Njerëzit vuajnë jo vetëm për shkak të kushteve të rënda shoqërore të jetesës, por edhe për shkak të mungesës së sigurisë e të stabilitetit. Atentatet me dinamit vijojnë të shkaktojnë me dhjetra viktima”. Janë fjalët e kryeipeshkvit latin të Bagdadit, imzot Zhan Benjamin Shleiman i cili, në fillim të Kreshmëve, i përshkruan agjencisë Sir, gjendjen aktuale të besimtarëve të tij, të vënë në provë, por të fortë në fe. Vëllezërit tanë të Kishave lindore e filluan që dje Kohën e Kreshmëve, kujton prelati, ndërsa ne, sot, me pendesë e agjërim. Feja jonë na fton të shpresojmë e kjo kohë agjërimi e pendese e forcon këtë shpresë. Iraku duket sikur nuk gjen më hapësirë në mjetet e komunikimit, deklaron imzot Shleiman, por kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme. Përkundrazi. Problemeve tona po i shtohen edhe problemet e vendeve fqinje, si Siria e Irani, që vuajnë nga situata politike dhe ekonomike, e njohur prej të gjithëve. Për imzot Shleiman, impenjimi i bashkësisë ndërkombëtare në favor të Irakut vjen duke e dobësuar edhe për shkak të divergjencave të thella në politikën kombëtare, ndërmjet shiitëve e sunitëve, për të mos kujtuar të tjera, të cilat vështirë se mund të kapërcehen lehtë. E këto përçarje pasqyrohen edhe në fe, që kthehet, kështu, në mjet për qëllime politike. E për tërë këtë pështjellim, ata që paguajnë janë gjithnjë më të varfërit, më të vegjëlit, më të pambrojturit, që nuk llogariten fare nga të mëdhenjtë, ndonëse pa ta vendi nuk mund të ketë jetë, paqe as zhvillim.








All the contents on this site are copyrighted ©.