2012-02-22 18:56:57

Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së Përhime nisi udhën kreshmore drejt agimit të ri të Pashkëve


Papa në audiencën e përgjithshme tha Kreshmë, jane kohë për të gjetur guxim të ri, përballë provave të jetës. Gjatë katekizmit të sotëm në audiencën e përgjithshme të së Mërkurës së Përhime, Benedikti XVI kujtoi figurën e një Kishe, që ecën në shkretëtirën e botës e të historisë, duke i nxitur besimtarët që gjatë kësaj kohe, të marrin guxim të ri për të përballuar provat e jetës. Koha e Kreshmëve, nënvizoi Papa, është koha e vendimeve të pjekura.
Kreshmët, kohë ndryshimesh, pendese, kthese, për ta takuar Jezusin në mbarim të shekujve, për të nxënë t’i përngjasim Krishtit i cili, gjatë dyzet ditëve të kaluara në shkretëtirë, na mësoi ta mundim tundimin me Fjalën e Hyjit, duke i kundërvënë mesianizmin e dashurisë e të dhurimit të plotë të vetvetes mbi Kryq, mesianizmit të pushtetit e të suksesit. Kështu edhe Kisha, vërejti Papa, ndodhet në shtegtim përmes shkretëtirës së botës e të historisë. Shkretëtirë në të cilën besimtarët kanë mundësi të jetojnë përvojën e thellë të Zotit, që fuqizon shpirtin, përforcon fenë, ushqen shpresën, gjallëron dashurinë e krishterë. Por shkretëtira është edhe aspekt negativ i realitetit, që na rrethon, nënvizoi Benedikti XVI:
“Thatësira, varfëria e fjalëve, e jetës, e vlerave, shekullarizmi e kultura materialiste, që e mbyllin njeriun në horizontin e ngushtë të jetës, duke e larguar nga çdo lidhje me transhendencën. Është ky edhe ambienti, në të cilin qielli përmbi ne është i errët, sepse i mbuluar nga retë e egoizmit, të moskuptimit, të mashtrimit”.
Po kjo nuk e pengon Kishën e sotme, siguroi Papa, ta shndërrojë kohën e shkretëtirës, në kohë hiri, e sigurtë se edhe nga shkëmbi më i shkretë, Zoti mund të bëjë të burojë ujë i gjallë, që shuan etjen e përtërin:
“Të dashur vëllezër e motra, në këto dyzet ditë, që na çojnë kah Pashkët e Ringjalljes, mund të gjejmë guxim të ri për ta pranuar me durim e fe çdo situatë të vështirë, të mundimshme, që na vë në provë, me vetëdijen se nga errësira, Zoti bën të lindë agimi i ri”.
Në përshëndetjet tradicionale, Papa kujtoi posaçërisht Ordinariatin personal të Zojës së Valsingamit, themeluar nga ish-anglikanët, që kanë hyrë në Kishën katolike, me rastin e shtegtimit të parë në Selinë e Shën Pjetrit. Ndërmjet besimtarëve të pranishëm në Sallën e Palit VI, ishin edhe rregulltaret Shërbëtore të Zemrës së Krishtit, të mbledhura për Kapitullin e tyre të përgjithshëm si dhe diakonët e Milanos: “Ndërtojeni gjithnjë jetën tuaj, i porositi Ati i Shenjtë, sipas logjikës së Ungjillit”. Një përshëndetje të përzemërt, pastaj, Papa u drejtoi përfaqësuesve të Lidhjes italiane kundër tumoreve dhe delegacionit të Kampionatit Botëror të Skive, që do të zhvillohet nga 29 shkurti, deri më 9 mars, në Rokaraso e Rivisondoli të Abrucos. Delegacioni i dorëzoi Benediktit XVI një medalje ari, krijuar enkas për Papën . Një këshill, në përfundim, përfaqësuesve të Avokaturës italiane, që të punojnë gjithnjë mbi bazën e kritereve të dashurisë e të drejtësisë, në shërbim të së mirës së përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.