Abati i madh i Mirditës imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes.
Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 8 shkurt të vitit 1846, vdiq më 22 shkurt 1917.
Abati imzot Preng Doçi qe personalitet i njohur dhe i nderuar prej çdokujt për atdhetarì
të flakët e zotësi diturore, fetare e politike. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni
XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë
dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e sidomos
ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike
të Mirditës e të mbarë Vendit e të kombit shqiptar. Në fushën e jetës fetare e
atë kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e
vetëdijes fetare e të shqiptarëve, dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente
të Shenjta. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore
e kombëtare, në anën tjetër i luftonte dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë,
si vrasjet, hakmarrjet, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin
shkatërronin vlerat morale tek populli. Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng
Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi”, me qëllim të zgjidhjes së
çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e
botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuar nga armiqtë
e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin
qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije
Shqipërisë e nè mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin
qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, kishtare e atdhetare dhe për kulturën
e gjerë që kishte Abati i Oroshit, imzot Preng Doçi. Një nga veprat e tij është edhe
“Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Në fushën e jetës kombëtare
politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën
dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën
Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet
i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye
Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij
qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi
ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e
kardinalit armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me
misionin diplomatik në vende të ndryshme, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të
Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Së
bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e
shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm
të popullit e Vendit.