Praktikat kreshmore për traditën e krishterë janë 'armë' shpirtërore për të luftuar
të këqijat e veset
Në ritet liturgjike të së Mërkurës së Përhime dëgjojmë përsëri ftesën për t’u penduar
para Zotit, të shprehur përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu
se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e
të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime quhet ‘porta e Kreshmëve”. Leximet
biblike të liturgjisë së kësaj dite, krijojnë atmosferën pendestare të kësaj kohe
të fortë, me ftesën biblike që Zoti e vë në gojën e Joelit profet: “Kthehuni nga unë
me gjithë zemër, me agjërime, me lot e vajtime; shqyeni zemrat e jo petkat; kthehuni,
sepse Hyji juaj është i butë e i mëshirshëm, i durueshëm e i dhimbshëm, ndjen keqardhje
për fatkeqësitë”. Ftesa e Joelit ka vlerë edhe për ne e na fton si besimtarë të
mos ngurrojnë për ta gjetur sërish miqësinë e Zotit, të humbur për shkak të mëkatit,
duke përsëritur kthesën e Psalmit të madh pendestar: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!
Na e kthe sërish gëzimin që ndjen njeriu i shpëtuar!”. Më pas, me Shën Palin, liturgjia
na përsërit ftesën “Ky është çasti i favorshëm, kjo – dita e shpëtimit!”. Liturgjia
e së Mërkurës së Përhime na tregon pra se kthesa e zemrës tek Zoti është përmasa themelore
e kohës së Krezhmëve. E kjo thirrje ndjehet fuqimisht gjatë ritit të përhirjes. E
riti ka një kuptim të dyfishtë: lidhet me ndryshimin e brendshëm, kthesën e pendesën
dhe na kujton brishtësinë e njeriut”. Kjo me pak fjalë është domethënien e liturgjisë
së lashtë romake të së mërkurës së Përhime. Kisha na kujton se, kemi dyzet ditë
për ta thelluar këtë përvojë shpirtërore asketike, duke bërë vepra dashurie të krishterë,
do të thotë duke dhënë lëmoshë, duke u lutur e duke agjëruar. E agjërimi, për të
cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me arsye fizike ose estetike.
Lidhet ngushtë me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e tij nga mëkati e
nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes, e bën më të vëmendshëm
në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve. Për këtë arsye agjërimi
dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore
për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset. Ti jetojmë 40 ditët e Kreshmëve
si dhuratë hiri të posaçëm të Zotit, si kohë të volitshme për t’u kthyer tek Hyji
e për të gjetur shijen, bukurinë, kuptimin dhe cakun e jetës.