2012-02-21 16:45:06

Patriku siro-katolik Ignatius III Younan: të krishterët në Siri janë në rrezik, bota të na ndihmojë


Ndër personalitetet e shquara të Kishës, që erdhën në Romë për koncistorin e fundjavës së kaluar, ishte edhe Patriku i Kishës siro-katolike, Fortlumturia e Tij Ignatius III Younan. I kërkuam të na përshkruajë gjendjen e bashkësive të krishtera në Siri, ku regjimi i Bashar al Asadit vazhdon të mbjellë vdekje, sidomos në Homs, ku edhe sot mbetën të vrarë mëse 15 vetë:
Jo vetëm të krishterët, por sipas meje, e gjithë popullsia siriane, është në ankth për të ardhmen, sepse në Siri kemi një gjendje tejet të ndërlikuar: jo vetëm një fe e një etni, por fe, konfesione e etni të ndryshme. Kësaj i shtohet fakti që pushtetin politik e ka vetëm një parti, “Baas”, e cila i përket pakicës “alauite”, prandaj shumica myslimane sunite pretendon se është mënjanuar padrejtësisht e dëshiron të rimarrë pushtetin. Kemi frikë se mos shpërthejë diçka me karakter fetar, me pasoja shumë të rrezikshme. Gjendja është shumë e vështirë, sidomos për ne të krishterët, që jetojmë atje prej mijëra vjetësh dhe e konsiderojmë veten sirianë. Unë vetë flas si i krishterë sirian, sepse megjithëse e kam selinë në Liban, jam lindur në Siri. Por të krishterët e ndjejnë veten në rrezik e kanë frikë se një luftë civile me sfond fetar do t’i shkaktojë viktimat e para e më të shumta, pikërisht në mesin e tyre. Kjo, sepse ata nuk kanë ndonjë parti të krishterë, së cilës t’i referohen, nuk kanë armë e, përveç kësaj, janë përhapur gjithandej në Siri. Ka zona ku shumica është e krishterë, por të krishterët janë kudo e në rastin e kaosit, nuk ka qeveri qendrore në gjendje të kontrollojë situatën. Shpresojmë të mos arrihet në këtë pikë. Në nivel ndërkombëtar, po bëhen përpjekje për t’i ulur palët rreth një tryeze të rrumbullakët, që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme. Prandaj, ne lutemi e lutemi, duke shpresuar që Siria ta kapërcejë këtë krizë, filluar para një viti tashmë.
Çfarë pret Kisha siro-katolike nga Këshillimi Apostolik post-sinodal për Lindjen e Mesme, në dritën e ndryshimeve në rajon?
Kisha siro-katolike, siç e dini, bën pjesë në Kishat katolike të Lindjes së Mesme. Falë Zotit, të gjithë të krishterët ndjehen më të bashkuar e punojnë për një unitet më të dukshëm. Kjo do të thotë se mund ta dëshmojnë fenë së bashku, pa vështirësitë e së kaluarës. Njësoj si të tjerat, edhe Kisha jonë shpreson që Ati i Shenjtë, falë kujdesit të tij atëror për gjithë Lindjen e Mesme – të krishterë, myslimanë e besime të tjera – të na japë shpresën, në mënyrë që këto qytetërime të lashta të Lindjes së Mesme të gjejnë rrugën e tyre drejt zhvillimit më të madh, duke respektuar të drejtat e njeriut. Kjo do të thotë jo vetëm liri qytetare, por sidomos liri fetare, me shumë rëndësi për ne. Ekziston rreziku i madh që rinia të largohet për të kërkuar një jetë më të denjë për vetveten, për fëmijët e për familjen. Prandaj, nëse ne, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, nuk i mbrojmë këto të drejta themelore, do t’i vizitojmë këto toka vetëm për të parë rrënojat, siç ndodh në vende të ndryshme të Tokës Shenjte, ku bashkësitë e krishtera nuk janë më.







All the contents on this site are copyrighted ©.