2012-02-21 16:46:04

Nesër fillon Koha e Kreshmëve. Papa na kujton qortimin vëllazëror, për shpëtimin e amshuar.


Në mesazhin e Benediktit XVI drejtuar besimtarëve për Kohën e Kreshmëve, që fillojnë nesër, me të Mërkurën e Përhime, ka një fragment tejet interesant: Papa u kërkon gjithë besimtarëve, të rizbulojnë një përmasë të dashurisë së krishterë, atë të qortimit të mëkatarëve. E kjo, nga që shumë herë mendohet se për të ruajtur qetësinë, për të mos cënuar paqen, nuk duhet ndërhyrë kurrë në ato, që quhen ‘punët e tjetrit’, nuk duhet qortuar tjetri, edhe atëherë kur gabon, kur ka nevojë për ndihmë, që ta shikojë qartë planin e Zotit, të pendohet, të bëjë kthesë, sepse ecën në rrugë të shtrembër, që e çon kah dënimi i amshuar. Ta lëmë të ecë në këtë rrugë? Në emër të paqes?
Ja ç’na mëson Papa në Mesazhin e Kreshmëve:
“T’i kushtosh vëmendje vëllaut, do të thotë edhe të kujdesesh për të mirën e tij shpirtërore. E këtu dëshiroj të kujtoj një aspekt të jetës së krishterë, që më duket se ka rënë fare në harresë: qortimin vëllazëror, lidhur ngusht me shpëtimin e amshuar. Sot, në përgjithësi, flitet shumë për kujdesin, e edhe për bamirësinë, në shërbim të së mirës fizike e materiale të tjerëve, por heshtet pothuajse fare, kur është fjala për përgjegjësinë, që ka secili nga ne, për shpirtin e vëllezërve. Nuk ishte kështu në Kishën e kohëve të para e në bashkësitë, që kishin fituar pjekurinë e vërtetë në fe. Këto bashkësi e kishin shumë për zemër jo vetëm mirëqenien fizike të vëllezërve, por edhe atë shpirtërore, duke menduar për fatin e fundmë të tyre. Në Shkrimin Shenjt lexojmë: “Qortoje të urtin, e ai do të të jetë mirënjohës. Mësoje të urtin, e do të bëhet edhe më i urtë se është: këshilloje të drejtin, e do t’i shtosh dijen”(Fu 29,7). Krishti vetë urdhëron: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton (kundër teje), qortoje vetëm për vetëm. Në se të dëgjon, e shpëtove. E në se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një a dy njerëz të tjerë, që të kesh dëshmitarë. Në se përsëri nuk të dëgjon, tregoi Kishës. E në se nuk e dëgjon as Kishën, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës” (Mt. 18,15). Folja që përdoret për të përcaktuar qortimin vëllazëror - elenchein – është e njëjtë me atë, që tregon misionin profetik të padisë, tipike për të krishterët, kur ishte fjala për një brezni të mbrapshtë. U shkruan Shën Pali Efezianëve: “Mos u bëni pjesëtarë në veprat e errësirës, por përkundrazi, më mirë zbulojini, që t’i shikojnë të gjithë. Sepse veprat, që këta njerëz i bëjnë fshehtazi, është turp edhe të tregohen” (cfr Ef 5,11).
Tradita e Kishës e shikon si vepër mëshire shpirtërore, atë të qortimit të mëkatarëve. Është shumë e rëndësishme të rikthehet kjo përmasë e dashurisë së krishterë. Përballë së keqes, nuk duhet heshtur! Mendoj këtu për sjelljen e atyre të krishterëve që, për respekt ndaj tjetrit, ose për përfitime vetjake, i nënshtrohen mendësisë së përgjithshme, në vend që t’i qortojnë vëllezërit për të hequr dorë nga mendësitë e sjelljet, që i kundërvihen së vërtetës e t’i ftojnë për të ecur në rrugën e së mirës. Të mos heshtim, prandaj, por pa harruar se qortimi i krishterë nuk synon të dënojë, e as të akuzojë. Qortimi i krishterë, që bazohet gjithnjë mbi dashurinë e mbi mëshirën, buron nga dëshira për ta parë vëllaun mirë e më mirë. Shën Pali Apostull pohon: “Në se ndokush bie në faj, ti që ke Shpirtin Shenjt, ndreqe atë me shpirbutësi. E, ki kujdes edhe për vetvete. Ruaju, që të mos biesh edhe ti vetë në tundim!(Gal 6,1).
Në botën tonë, të përmbytur nga individualizmi, është tejet e nevojshme të rizbulohet rëndësia e jashtëzakonshme e qortimit vëllazëror, për të ecur së bashku drejt shenjtërisë. Pa harruar se “hiri a pa hiri, shtatë herë në ditë mëkaton më i miri”, na kujton Shkrimi Shenjt e se ne të gjithë jemi të ligshtë e plot me mungesa(cfr Gjn 1,8). Në se mendojmë se jemi pa mëkat, s’bëjmë tjetër, veçse gënjejmë vetveten (cfr 1 Gjn 1,8).Duhet ta shikojmë prandaj, si një shërbim të madh, ndihmën që japim e që na japin për ta njohur vërtetësisht vetveten, për ta përmirësuar jetën tonë e për të ecur më drejtësisht në udhën e Zotit. Kemi gjithnjë nevojë për një sy, që na shikon, na do e na qorton, na njeh e e njohim, na depërton në thellësi të shpirtit e na fal, (cfr Lk 2,61), ashtu si ka bërë e vijon të bëjë Zoti me secilin prej nesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.