2012-02-21 16:44:46

Nesër, Papa kryeson liturgjinë e së Mërkurës së Përhime në fillim të Krezhmëve në Aventin. Reflektimi i imzot Sigalinit


Nesër, në të Mërkurën e Përhime, Papa Benedikti XVI do të kryesojë Stacionin tradicional Krezhmor në Aventin të Romës, fillimisht në orën 16.30 në kishën e Shën Anselmit e pastaj, në Bazilikën e Shën Sabinës, pas procesionit. Këtu do të kremtohet Eukaristia me ritin e bekimit e të përhimjes. Fillon kështu, Koha e Krezhmëve, periudha më e rëndësishme e vitit për të krishterët, që përgatiten shpirtërisht me pendesë, agjërim e punë të mira, për të pritur Pashkët, Ringjalljen e Krishtit. Të dëgjojmë komentin e ipeshkvit të Palestrinës, imzot Domeniko Sigalini:
Rruga e Krezhmëve për një të krishterë është e rëndësishme si pranvera për natyrën, sepse është pranvera e shpirtit. Është çasti, në të cilin rilindim, rimarrim udhën drejt shenjtërisë. Jemi të bindur se si të krishterë, nuk mund t’i përgjigjemi dhuratave të Zotit vetëm me ndonjë gjest kortezie, ose me ndonjë element mirësjelljeje. Ne jemi përfshirë nga Hyji në planin e tij të shpëtimit për krejt njerëzimin: t’i japim njeriut shpresën, që ai vetë e tradhton shpesh; t’u hapim njerëzve zemrën drejt hyjnores, drejt Zotit e, njëkohësisht, të rizbulojmë Ungjillin si udhë, që na ndihmon të takojmë Hyjin tek njerëzit e njerëzit në mundimet, gëzimet e shpresat e tyre.
Në Mesazhin e Krezhmëve, Papa thekson përgjegjësinë e secilit për të afërmin e vet, na nxit të mos i mbyllim sytë para vuajtjeve të tjetrit. Benedikti XVI flet madje për një lloj anestezie shpirtërore, një lloj përgjumjeje të shpirtit…
Ashtu është. Është një kërkesë shumë e fortë, që kërkon ekuilibër të madh. Faktikisht, Papa propozon shembullin negativ, që vihet në dukje në një episod të Ungjillit, atë të Samaritanit të Mirë, që lihet gjysëm i vdekur në rrugë nga njerëzit, të cilët ecin pa u ndalur, të bindur se kanë shërbyer mirë në Tempull, pa e kuptuar se Tempull janë edhe të gjithë të varfërit, që takojnë rrugës. Pra, kjo anestezi shpirtërore ka të bëjë me të gjithë: me njerëzit e Kishës, me këdo, që mbyllet në egoizmin e vet. Papa na fton të bëhemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj të tjerëve. E duhet nënvizuar edhe diçka tjetër. Nuk është fjala thjesht për t’u kujdesur për tjetrin, sepse ka nevojë, ose sepse duhet të jemi bujarë. Solidaritet do të thotë të kuptojmë se jemi të thirrur të bëjmë mirë, prandaj duhet të shohim edhe sjelljen, nëse është sipas Ungjillit apo jo. Është e vështirë, por t’i kujtojmë njëri-tjetrit se duhet të shohim lart, është një vepër e jashtëzakonshme krezhmore.
Në Mesazh, Papa nënvizon rëndësinë e qortimit vëllazëror, që duket sikur nuk përdoret më…
Ne të krishterët, gjithmonë tregohemi me gisht, sepse jemi moralizues. Por Papa nuk thotë këtë. Nuk na kërkon të moralizojmë, por thotë se përvoja jonë e krishterë – nëse dëshiron t’i qëndrojë besnike Ungjillit e pra, edhe burrit e gruas, që takon – duhet të jetë e aftë edhe të rrisë nivelin e perspektivës sonë e të perspektivës së të gjithëve. Duhet ta shohim qartë se të këqiat e botës vijnë nga mungesa e Zotit. Nuk gjykojmë askënd, por së bashku përvijojmë rrugën, që duhet ndjekur për ta ndryshuar jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.