Tiranë: çelet pavijoni i terrorit 45 vjeçar të diktaturës komuniste
Pavijoni i Terrorit Komunist, një pasqyrim në mënyrë kronologjike dhe tematike me
fotografi, dokumente, objekte të reja i Shqipërisë së viteve '45-'90, u çel paraditen
e sotme në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Një nga pavijonet më të kërkuara
nga vizitorët e huaj është instaluar në katin e dytë të MHK-së, në sipërfaqen rreth
360 metrash katrorë ku pasqyrohen me anë të posterave dhe objekteve organet e diktaturës,
gjyqet e deputetëve, lëvizjet opozitare, e deri në rrëzimin e monumentit të diktatorit
Enver Hoxha. Vitrinat dhe stendat e pavijonit ekspozojnë objekte personale të të
përndjekurve politik si: veshje, enë, lugët, pjata prej alumini, etj, por edhe punime
shkencore, dorëshkrime. Krahas dokumenteve dhe objekteve personale të të dënuarve
politik, në pavijon është instaluar edhe një birucë burgu. Gjatë fjalës së tij,
në inaugurimin e këtij pavijoni drejtori i MHKS-së, Luan Malltezi u shpreh se ky pavijon
tregon fakte dhe dokumente të shumtë të kohës, se Shqipëria ishte një vend që jetonte
nën një terror të jashtëzakonshëm në pushtetin e Enver Hoxhës. "Për dekada me radhë
regjimi komunist kishte ushtruar një politikë të ashpër e të pamëshirshme ndaj popullit
të vet duke kryer vrasje, burgime, internime, nëpërmjet armës së frikshme të sigurimit
të shtetit dhe të drejtësisë shqiptare", tha Malltezi. Drejtori i MHKS-së shtoi
se 20 shkurti është një datë me rëndësi të veçantë në historinë tonë kombëtare, rrëzimi
i monumentit të Enver Hoxhës shembja e të cilit u shoqërua me një entuziazëm nga shqiptarët
që nuk mund të kuptohej nga bota demokratike. I pranishëm në inaugurimin e Pavijonit
të Terrorit Komunist ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina
Topalli, Ministri i MTKRS-së Aldo Bumçi, etj. Ky i fundit u shpreh se gjatë gjithë
këtyre viteve ne nuk kemi krijuar institucione të kujtesës, kombëtare pasi gjatë gjithë
kësaj kohe të përndjekurit kanë qenë monumente të gjalla të shoqërisë sonë, por tani
po fillojmë t'i krijojmë. "Kjo shoqëri ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në
lindjen komuniste të ngrej tempuj të kujtesës kombëtare për të kujtuar dhimbjen dhe
rezistencën ndaj shtypjes", tha Aldo Bumçi. Me rihapjen e këtij pavioni nuk ndryshon
vetëm emri i tij, nga Pavioni i Genocidit në atë të Terrorit Komunist, por materiale
të reja të pa ekspozuara më parë prezantohen për vizitorët vendas e të huaj. Pavijoni
pasqyron edhe të dhëna nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat tregojnë
se gjatë viteve të diktaturës u vranë 5157 njerëz nga të cilët 89 gra, 952 vdiqën
në burg dhe 273 humbën aftësinë mendore, nga të cilët 29 gra. 17900 njerëz u internuan
sit ë dënuar politik dhe u ndërtuan 23 burgje dhe 48 kampe përqendrimi. Forma dhe
përmbajtja e këtij pavioni është konceptuar nga grupi i muzeologëve si: Enver Kushi,
Fredi Gusho, Sali Kadria, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari, etj. Njëkohësisht Muzeu
ka bashkëpunuar edhe me Agim Mustën, përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve
Politikë dhe Kastriot Dervishin, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërsa konceptimi arkitekturor është realizuar nga arkitekti Latif Lami. Pavioni
i Genocidit është hapur në vitin 1996 në Muzeun Historik Kombëtar dhe rinovimi i tij
shtohet pranë pavioneve të tjera të Muzeut Historik Kombëtar si: Pavioni i Lashtësisë,
Pavioni i Mesjetës, Pavioni i Rilindjes Kombëtare, Pavioni i Pavarësisë, Pavioni i
Ikonografisë, etj. (ATSH-ja)