2012-02-20 16:07:34

Papa kardinajve të rinj: mbrojeni unitetin e Kishës e çojani dritën e Krishtit mbarë njerëzimit.


“Të mbrohet e të rritet uniteti në Kishë”: është nxitja që u drejtoi Papa 22 kardinajve të rinj, duke i pritur sot paradite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, së bashku me familjarët e miqtë. Një audiencë, gjatë së cilës Papa pohoi edhe një herë se Kisha është gjithnjë e gjallë dhe e pranishme në botë, ndonëse i duhet të përballojë shpesh ngjarje të papritura e edhe kundërshtare.
Uniteti i Kishës është dhuratë hyjnore, që duhet mbrojtur e duhet forcuar, nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar kardinajve të rinj. Një fjalim i shqiptuar në 9 gjuhë të ndryshme, për të vënë, edhe kështu, në dukje, universalitetin e Kishës, që gjen shprehjen e vet në kombësitë e larmishme të kardinajve të rinj. Në mënyrë të posaçme, Papa e vuri theksin mbi vlerën e bashkimit të besimtarëve rreth barinjve të tyre dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit:
“Të jeni të bashkuar me besimtarët e me njëri-tjetrin në fe e në dashuri, për të qenë gjithnjë dëshmitarë të flaktë e të guximshëm të Krishtit”.
Më pas Benedikti XVI shpjegoi se krijimi i kardinajve të rinj është rast për të reflektuar mbi misionin universal të Kishës në historinë e njerëzve:
Në ngjarjet njerëzore, shpesh herë të papritura e kundërshtare, Kisha është gjithnjë e pranishme, duke çuar Krishtin, dritë e shpresë për mbarë njerëzimin. Të mbrosh bashkimin me Kishën e me mesazhin e shëlbimit, që përhap ajo, do të thotë të jesh i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me të Vërtetën, të forcosh kuptimin e vlerave të vërteta e të përballosh me qetësi çdo ngjarje”.
Audienca u zhvillua në një atmoferë posaçërisht festive, me një numër të madh besimtarësh, që shpalosnin plot krenari flamujtë e viseve të tyre, të afërta e të largëta, vise prej nga vijnë kardinajtë e rinj. Prej këndej, Papa theksoi edhe një herë me forcë rëndësinë e lidhjes së barinjve me besimtarët:
“Të nderuar vëllezër, dashuria dhe lutja e njerëzve që doni, ju ndihmoftë t’i shërbeni besnikërisht Kishës dhe ta dëshmoni bujarisht Ungjillin e së vërtetës e të dashurisë”.
Duke folur në gjuhën franceze, Ati i Shenjtë nënvizoi se shoqëria jonë, e pushtuar nga pasiguria, në këto çaste ka nevojë më shumë se kurrë për dritën e Krishtit. Ftoi, kështu, që..
“Que chaque chrétien en témoigne…”Gjithë të krishterët ta dëshmojnë Ungjillin me fe e guxim e, Koha e Kreshmëve, që po afrohet, t’i ndihmojë të rikthehen në rrugën e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.