2012-02-20 16:40:06

Kisha e arti: publikohet katalogu i ekspozitës, kushtuar 60-vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI


U paraqit këto ditë në Romë, libri “Shkëlqimi i së vërtetës. Bukuria e dashurisë”, katalog i ekspozitës së vjetshme kushtuar 60-vjetorit të meshtarisë së Papës Benedikti XVI. Libri, i publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), dëshmon interesin e Kishës për artin bashkohor, në tërësinë e tij: pikturë, skulpturë, arkitekturë, apo muzikë.
Kisha e artistët duhet të takohen sërish, për t’i dhënë kulturës shembullin e dialogut të frytshëm, që synon ta bëjë këtë botë më njerëzore e më të bukur: kështu u tha Ati i Shenjtë artistëve, në vitin 2011, duke shprehur qartë nevojën e rifillimit të marrëdhënieve të dikurshme ndërmjet artit e fesë, të cilat i kanë dhënë botës kryevepra të padiskutueshme. Këtë theksoi, gjatë paraqitjes së librit, edhe kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi:
“Unë mendoj se këto marrëdhënie mund të rivendosen me kontribut të ndërsjelltë. Artistët na japin gramatikën e gjuhëve të reja, që kupton kultura e sotme dhe, ne u japim disa subjekte, disa tregime, që kanë qenë e janë tejet të rëndësishme për historinë e njerëzimit”.
Në këtë kuptim, ekspozita e vjetshme në sallën e Palit VI në Vatikan, përbën një gur të rëndësishëm në këtë rrugë afrimi. Gjashtëdhjetë vepra të po aq artistëve, në një horizont, ku përfshihen piktura e skulptura, arkitektura, muzika e fotografia. Vepra si stampa në karbon e Mimo Jodiçes, skulptura në bronx e dru e Kengiro Azumës, apo arte povera e Janis Kunelis, quajtur personalisht nga Ati i Shenjtë, shprehje e “peshës së jetës së përditshme”. Punime, në të cilat bashkohen gjenia njerëzore dhe nevoja për hyjnoren. Arkitekti Santiago Kalatrava ka kontribuar në një projekt për katedralen e “St.John the Divine” në Nju Jork. Ja ç’tha në paraqitjen e katalogut:
“As që diskutohet mbi faktin se Kisha ka qenë mecenatja më e madhe e historisë së artit, gjatë dymijë vjetëve të fundit, sepse feja është një pikë madhështore takimi, si element mendimi e shprehjeje. Në një kohë kur komunikimi e plot gjëra të tjera lëvizin sipas skemave virtuale, lënda e një objekti të ndërtuar (nga artisti) merr rëndësi të madhe, sepse lë pas gjurmë bindëse. Unë besoj se gjuha e arkitekturës, e pikturës dhe e skulpturës kanë sot një rëndësi të jashtëzakonshme për fiksimin e dëshmimin e kohës sonë”.
Bukuria, e vërteta dhe dashuria, që frymëzuan titullin e ekspozitës, janë ndër temat më të pranishme në magjisterin e Benediktit XVI. Sërish, kardinali Ravazi:
“Kultura bashkohore e ka copëzuar realitetin në shumë fragmente: realiteti i vërtetë është për natyrën e vet, kompakt, i pandashëm. Ka në vetvete njëkohësisht misterin e së vërtetës, yllin e bukurisë dhe zjarrin e fshehtë të dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.