2012-02-20 16:11:39

Atë Anton Harapi: harmonia nder elementa të nryeshem ne Shqypní


Tri zânamare ase harmonija nder elementa të nryshem në Shqypní

Lodhë e këputë, u ula me pushue. Kahë mushknít e mija merrshin e epshin sá ku muejshin, kahë me gjymtyrë, tue luejtë, kerkojshin vend e mnryrë si m’e e shkue të lodhunt, disi pá u kujtue u gjeta mjedis nji bukurije e stolije, qi por nana natyrë âsht e zoja m’e e sajue: aty diku afer, prej nji shkami të gjallë, çurrel dikojshin pikat e ujit të ftohtë, qi, të prarueme prej rrezeve të diellit të bjeshkve, si t’ishin thermija ari e argjani bishin të shkelqyeshme mbi at ledinë të njomë; piptina e kerthnestë pervujtshem i gjallnote ato brija, e, mbi krepa e gur njimi herë të motnuem, endte agimi e jetës prendverore.

I ap vetit edhe njiherë, siellem në tjetren anë, e syvet të mij u shtrihen fushat e hapta, qi në blerimin e vet, porsi plisa të qindisun me gjithnduer njyrje e trajte, grabitshem më tërhiqshin me i kundrue, kahë thekshem e andshem prekshin ahtet e zemrës seme; mbi krye tem, të rrebta posi vigana, ngrehun rrishin ato maje të thepisuna, rendue e stivue pa simetri, por me nji perpjekje të kanshme, si t’ishin motra të kapuna dora-doras; kundrimi i tyne mat madhni e rrebsi disi më shtite nji drojë e nji tramë, e cilla amel tue më kerkue ndisit, më knaqte e më qetësote, kahë flladi i erandshem dallkadalë m’i terte djersët e më pertrite fuqit, zogj gjinduersh kërcejshin gemb më gemb, e me ato levizje, me at shpejtsi e shkathtsi, qi janë vetun të tyne, m’u bate se po gëzoheshin per mik t’ardhun, e me at za aq tâmel e plot kumbim, qi lëshojshin tue këndue, kahë thejshin monotonin e perjetshme t’atij vendi, njiheri pajtoshshin në mue ma t’imtat pejza të thalbit të jetës.

Por menja nuk më pushote, m’u bate se diç më mungon e se të gjith ajo bukuri e stoli natyre po më thonë: Kerko ma përtej, se ke me e gjetë. Ngela e u vuna si në përgjim; mat vetmi m’u bate se po ndiej nji za kange. Thue janë zanat, qi po këndojn?... i ap vetit, e braf,- çohem më kamë; kur qe, mbi nji mogilë, aty afër shi tre bari të cillët njeni ma i bukur se tjetri po u bijshin zanamareve me nji perkim të binshem, me nji harmoni të pashoqe, e si mos t’ishin ato tri zaje, më nji po merrshin kangen e kreshnikut. U meka e treta, harrova të lodhunt, s’dijta ma ku ishe:

Barit ishin tre shqyptarë, njeni mysliman, njeni ortodoks e tjetri katolik. Mos t’i kishe pa të tre me zanamare në dorë, kishe ba be, se nuk janë tre, por nji qi po i bjen, njikaq perkueshem jehote zani i zanamarevet të tyne.

Fshana kthelltë, e sa ku muejta, brohorita me at fjalen e Arkimedit: Eureka! E gjeta. M’u freskue shpirti kahe m’u ba se po më çilet perdja e po shoh e po hetoj n’at harmoni të bindshme të tri zanamarevet shemullin e simboline kjartë e të gjallë të paqes e të qetsis kombtare nder tre elementa fetarë të nryshëm. Thaçë me veti, thue se na shqyptarët do të jemi që mos kurrkush në botë?

Thue do të jemi aq të namun si mos të muejm me rrnue porsi shokë e vëllazen si jemi, por do ta lajm buken me gjak, do ta shkojm motin tue ndejë bark e shpinë, e, me helmin e dasis, do të prishim doke, giuhë e karakter, do të shkojm kundra interesave tona e do të t’rrenojm njata shka vetë Perendija na ka falë e bota marë na ka njohtë, njisin kombtare?

Jo kurr, po n’at mnyrë si secilla zanamare, tue majtë kenen e cillsit e veta, bjen njiheri me tjerat motra të nryshme, tue perftue kënaqë e harmoni, njashtu tre elementat fetarë në vendin tonë, pa ndeshë n’ata në shka nuk perkojn, por tue u qandrue n’ata shka kan të perbashktë, do të formojn njatë harmoni kombtare, në të cillen jeta shqyptare do të marrë frymë, do të pushojë, do të mkambet e do të përparojë. Kush i thotë vetit shqyptar e don me rrnue i lirë në shtet të lirë, porsi gjytetas eporsi nenshtetas e ka me detyrë të bashkohet me ne e të punojë për perfitimin e harmonis së jetës shqyptare, të cillen kemi me e majtë e me e gëzue, jo tue marrë me i ra krahi njatyne tastavet, qi me disonancen e vet dajn e shkatrrojn; por tue intonue marë të gjitha njato fille e veti të jetës shqyptare, qi perbajn njisin e karakterit e t’interesavet tona.

Ketu, nji kahë ni, varg e vister më dalin para gjith njato vshtirsi, të cillat, shikjue me nji sy të sqyet, i cenohen aq fort jetës e paqës fetare në Shqypni, sa prej shum kuej mbahet i pamuejtun m’u çue në vend pjan e projekt per harmonin nershej t’elementave fetarë në vendin tonë.

Ndiej kahë vikasin sa ku munen shum ligjruesa e fletorarë tue kerkue të zhbihet çë do ndiesi fetare, pse si thonë,- i vetmi religjion i shqyptarit janë niesit kombtare. Kunrroj mirë rropamet e pedanterizmit sulmues, t’asajë shkallë kulture gjymsake, t’atyne qi dallë-pallë duen me modernizue Shqypnin e shqyptarët, tue i qitë karakterit e burrnije, e, vleren e nderen shqyptare, tue i zhye me llomin e fundrrijat, me moden e formalitetet, të cillavet që kaherë u ka dalë fryma nder popuj t’Europës.

Me gjith këta, na do të vijojm per mprojtjen e parimit ndertues e per dnimin e parimit rrenues. Por me folë tamam shqyp, po thomi, se nuk ka punë në botë, së cillës mos t’i gjendet rrfana, e mat mnyrë si gati të tanë popujt e gjytetnuem, megjithse kan në gji të vet besime të nryshme, kann gjetë mnyren me rrnue në paqë me shoqishojnë, pa pasë nevojë me sulmue besimin në parim, ashtu edhe na, me një grimë vullnesë të mirë, pshtetë nder parime t’arsyes, mund e sajojm nji modus vivendi e mund e majm fort mirë paqen e qetsin me shoqishojnë, megjithse jemi besimesh të nryshme.

Asht e vertetë shka na tregon historija, se me kurrsen nuk kje trazue ma nieshem, a ma mirë me thanë, nuk kje prishë ma keqas njisija e fjeshtsija e popujvet, se me perbindshin e paknaqsis, të dasis e të grijes fetare. Por asht edhe e vertetë shka thotë Goethe, se të gjitha perjudhët e kohvet, nder të cillat besimi, në që farë do mnyre mrrijti me pasë dorë e fuqi të parë, ato kjenë të lulueshme e fisnike, pse e naltuen ma fort zembren e nierit. Këta po e thomi pergjithsiht e per dhena të hueja,- Por kurrnji popull ma fort se shqyptarët nuk e ndien kobin e mjerimin, qi perftoi nder ta mosperkimin në jetën besimtare.

Mjaft me kujtue, se dasija në besim per mot e shekuj ushqei robnin, humi doke e veti karakteristike, majti në kamë grijen vëllaznore, shkretnoi lagje e vise, la nana pa djelm, motra pa vëllazen, nuse pa burra e vu futen e zezë anekand, rreh e rrokull neper Shqypni. Kush nuk din mandej, sa fort pengohet e vonohet perparimi kultural në Shqypni prej nryshimit të shqyptarvet në ket pikë?

Po, por që me diten e independencë sonë, si duel kushtrimi per atme e shtet, për jetë e gjallnim të përbashktë, djelmt e Shqypnis, pa nryshim besimia krahine, kamë per kamë u rreshtuen nder lllogore e duelen në ball të luftës, dora-doras u kapen e hin në parlament, vun ligjë e parime, sajuen pjane veprimi të perbashktë, sistemuen të tanë jetën kulturale, shoqni tregtare etj, etj, në mnryë qi gjithkush u bind per ket punë, e Europës i erdh fare papritun bashkimi i shqyptarve kaq i shpejtë.

Madje u lypen flije e flije të mëdha per me dalë secilli prej gervoje të vet mas katerqind e sa vjetsh; edhe secilli, si kristjani si myslimani flijoi pikpamje, u çili shteg rrymve të reja, e ku me të mirë e ku me të vshtirë, iu pershtat jetës së re shqyptare. Ky asht nji fakt, qi na zemron me ndiellë e me sartue per herë e ma mire per bashkimin kombtar e per paqen e qetsin vëllaznore ndermejt elementavet të nryshem fetarë. As s’asht e vërtetë fjala e atyne qi thonë, se na mungojn pikat perpjekse nder të cillat mund të perkojm e mund të bashkohemi. Ma parë e ma dalë të gjith sa jemi, kristjan e mysliman, e njohim Zotin per babë e atmen per nanë, prandej, tue dashtë e tue e drashtë Zotin, duem ata qi don Zoti – shokët tonë, e ruhemi mos t’u bajm keq, pse na vret Zoti. Tie u orvatë manej secilli veçmas e të gjith më nji, per nam e nderë, per të marë e të mirë të fisit shqyptar, të gjuhës, të vendit, t’interesavet e të gjith atyne punvet, qi perbajn visarin tonë, na disi pa u kujtue gjindemi të bashkuem. Pra kemi ku e në shka bashkohemi, po deshtem me kenë konsekuent nder parime të besimevet qi majm.
Edhe pernjimen në ket pikë asht ba nji perparim mjaft i madh, aq sa sod nuk ka shqyptar me mend në krye e qi ka verte per ideal Shqypnin, i cilli nuk dishmon se lufta, kundershtimi e trazimi ndermjet nesh per çashtje fetare, jo vetun janë fare të kota po edhe na damtojn e na shnierzojn. Rreziqet e jashtme e anmiqt me kercnime të veta na janë kenë shkollë e na kann ba m’u mbledhë tok më nji, në prehen t’atmes, porsi zogjt e pulës mlidhen nen krahë të nanës, kur bjen skyfteri, me lak e me gjak xum me e majtë qetsin gjytetse e neper te majtem edhe qetsin fetare, tue lanë m’anesh që do nryshim e pikpamje jete, e tue e qandrrue të tanë kujdesin per me pshtue gjallë ekzistencën e interesat tona jetsore.

Nuk asht në shekull gja ma e mirë se paqa, s’asht fjalë ma e amel, se ajo, e cilla kandshem i tregon nierit aftsin, qi ka per lumni, ajo i nenkupton e i plotson të tana të mirat, qi zembra mund të dishrojë, ajo asht drita e mendes, forca e vullnesës, i vetmi gëzim i fjeshtë, qi nieri mund të provojë në ket jetë.

Qe na sod, falemi nderës Zoti, gëzojm nji qetsi relativisht të mjaftueshme. Pernjiherë nuk druem se po na kërcen kush më shpinë; anmiqt e jashtem njimend se nuk prajn, por me gjith këta na sod jemi të lirë me mendue per veti. Veçse posë paqës botnore të jashtme, do të shikjojm me e majtë sidomos paqen gjytetse të mrenshme, ky do të jet kahri ma i madhi, jo vetun i atyne qi kan frenin e shtetit në dorë, por edhe i secillit shqyptar, qi don Shqypnin, pse pat thanë aj i moçmi Si vis pacem, para bellum, shterngoju në do me e gëzue paqen; e na kurrsi nuk kemi me e ba ket gabim ma mire, se tue e shkue jeten me shoqishojnë në bashkim e në qetsi gjytetse.
Shumica e inteligjetavet na kupton fare mire se shka duem me thanë, por shumica e popullit t’ultë, si nder mysliman si nder kristjan shqyptarë, në rrethin e vogël të pikpamjevet të veta e majn të pamujtun ket bashkim e paqë, per të vetmen arsye, pse tue pasë kene msue që në familje e në vocrri me e shikjue e me e majtë, jo vëlla por anmik shqyptarin e besimit tjetër, s’kann si e menojn paqen në bashkimin e n’afrim, kurse s’kann ngim ta shohin huptë njatë, me cillin kann nji gjak, nji gjuhë, nji tokë, nji interesë, nji emen e nji nderë, nji mnyrë rrnese etj, etj.

E qe se si çashtja e besimevet nder ne jet e mlueme porsi gaca nen hi, e që do anmik, i mrenshem a i jashtem, t’i ardhmen dita e t’i pamen gjasen, s’ka nevojë per tjeter, por me e çprushë sa pakë at lvore qetsije me të cillen jet i mluem tharmi i paknaqsis, e ka me i pasë shqyptarët me i çue peshë e me i përdorë kundra shoqishoqit per dam e per humje tonë e qe ngadhnimin e qellimevet t’anmiqvet. Knej rrjedhë nevoja e madhe të studiohet mirë kjo pikë, prej së cillës mvaret vijimi i marë jetës sonë kombtare, tq qiten në shesh teoretikisht e praktikisht të gjitha vshtirsit e të ngrehet binari i aftë, mbi të cillin na do shkojm në paqe shoq me shoq.

Kjo asht arsyeja, per të cillen shum shqyptarë e shum të huej rrin tue sartue zi e ma zi mbi ne; thonë, se myslimant e kristjant janë larg me shoqishojnë, sa të lemt prej prenimi, prandej nuk kann si merren vesht e si rrnojn në paqë.

Po këta a mund të jenë ma larg e ma në kunërshtim, se janë kristjant me evrej, të cillët i dhan deken Krishtit, me sa myslimant nemose e nderojn tue e majtë si nji nder profetë?

E pra në Gjermani, n’Austri e gjithkun ku ka evrej asht gjetë mnyra e rrfanase si me e majtë paqen nierzore e gjytetse! S’ka jo, shtet në botë, ku mos të luftohet nder lamije ideale,e pakë janë shtetet, nder të cillat nryshimi i besimit mos të ket krijue pikpamje e rrymë të nryshme jete; prandej ku ma shum ku ma pak, ku në nji mnyrë ku në nji tjetër, gati gjithkund e gjejm në kamë luftën fetare, por me ket nryshim, se nder vende të gjytetnueme kjo levizje merr nalt në lamije të ditunis, kufizohet mrena arsyes e bahet me mnyrë e mjete bujare, tue marrë nji pozicjon të dejë per nierz të gjytetnuem; me sa popujt e pagjytetnuem e barbar nuk dijn me luftue me fjalë e me shkrim, me meine e me arsye, por me pushkë e me shpatë; luftojn për fe tue ushtrue mizorit, qi ka mendja keq me i kujtue.

Të tanë pune pra asht kët, qi të gjytetnohet shqyptari, por të gjytetnohet njimen, se manej asht nreqë edhe paq gjytetse e fetare.

Prej se shum nder inteligjenta tonë nuk dijn as nuk duen me i da këto dy lloj luftimi, mrrijn me punue sistematikisht per të shuemt e që do religjonit në Shqypni, e me kaq kujtojn se e kann gjetë mnyrën per me i krijue paqen vëllaznore e gjytetse nder shqyptarë. Knej rrjedhin kërkesat, apelat, e kushtrimi i qitun prej disa fletorevet tona Mretit e Ministrive për të hjekunt e mësimit të besimit nder shkolla fillore, knej të lanut mas dore të që farë do shkasi, vlere a kontributi, qi mund i apin vendit, nierz të zot e me kompetencë, porse fetare, knej paragjykimet e pa themel se besimia priori nuk mund të trajtojë as mund t’edukojë, por shka të prishë e të rrënojë etj, etj.

E pra nierzt e shteteve t’Italis e tjera shteteve e kombeve të gjytetnueme, qi pranojn per parim besimin në shtet, e jo vetun e lanë fare të lirë, si n’Amerikë, por e njohin besimin a besimet zyrtarisht, si n’Itali, në Gjermani e tjera vende, këta po thomi, qysh se pranojn nder shkolla të veta mësimin e besimevet të nryshme, madje diku-diku e lypin edhe në bazë ligjore, këta sigurisht nuk e menojn punen si të naltpermendunt inteligjenta shqyptarë, të cillët nuk barin kurrfarë besimi në Shqypni,e kujtojn se pshtimi i Shqypnis asht të zhbimt e ç do besimi në vend tonë.

Tash ma, botnisht po dihet, se Bolshevikët e Rusis sistematikisht e me bajerak i kann shpallë luftë mendore e materiale çë do besimi e per parim e programatikisht duen me ngrehë e me perhapë ateizmin; po kje kush nder inteligjenta e nder shkrimtarë të fletorevet tona parimit të Bolshevizmit; na nuk kemi fjalë me të, as nuk kemi nevojë të polemizojm, pse ata vetit i dënon arsyeja e çë do nieri me mend në krye, ata i dënon kryesija e shtetit tona e ligja e çë do shteti t’Europës. Pra nuk mahet paqa gjytetse me ateizem, qi në fund të fundi s’asht tjeter por Bolshevizmi në praktikë, as s’mbahet qetsija gjytetse tue e dermue shqyptarin në njatë shka ka ma per zemer, në besimin në nji Zot, prej të cillit dikojn niesit ma të sinqerta e ma bujaret per jeten nierzore, por, prap po e thomi, ket paqë të dishrueme kemi me e gjetë në gjytetnimin e vërtetë.
Por ta shikjojm punen ma per s’afermi e në praktikë.

1. Nder vende të gjytetnueme gjem, se paqa e perpjekjet miqsore ndermejte gjytetasvet të besimit të nryshem shprehen teoretikisht me fjalën tolerancë e mahen praktikisht, tue qitë në punë e tue zbatue parimet e tolerancës, d.m.th. tue durue shoqishoqin.

Njimen se fjala tolerancë, si thotë Ad. Harrack, asht ni fjalë mjaft e vrashtë per nierz të gjytetnuem: “Toleranz ist eines intoleriertes Wort” (Aus Wissenschaft und Leben I.. „Giessen ,1911, 233.) , me gjith këta, shikjue nder parime të së vërtetës, nuk asht fjalë e pavend, e si motit ashtu nder ditë të sodit me shum arsye mund të përligjet. Edhe pernjimen, nji besim po nuk esht me i ra ndesh vetit e m’u ba i pakenun, der t’orvatet nemose me e perligjë arsyetisht ekzistencën e vet, der të mbajë sadopak ndonji shejzë a thermi të së vërtetës, do t’i gjegjë me nji “jo” “Besojmës” së nji tjetrit besim. Në ket veshtrim secilli besim per parim do ta majë intolerancën teoretike-dogmatike kundrejt besimevet tjera.

Nder të gjith elementat fetarë, qi kemi në vendin tonë, ku ma shum, ku ma pakë asht perpajnue mjaft thellë menimi se “besimet i ka da Zoti”, d.m.th. se të gjitha besimet, megjithse të kunderta, janë njinji të verteta. Në popull rrjedhë ky gabim prej padije sikurse sa e sa gabime tjera, qi duen luftue me dituni e me gjytetnim.

Por indiferentizmi fetar nder inteligjenta, me sa të gjitha besimet mahen të vërteta si njeni-tjetri, më gitet shum ma i paarsyeshem, se ateizmi, i cilli dogri e mohon zotin. Ky nemose asht leal, shka mendon njata e thotë sinqerisht, nuk shtihet, s’flet nji fjalë për nji tjeter, me sa aj, i cilli ndrron Zot per gjith rasë e per gjith gjurmë, per të cillin Zoti zemermirë e Zoti mizuer, Zoti me dije të pamarueme e zoti budall, Zoi i gjithpushtetshem e Zoti qolja e qoftja e nierzvet asht gjithnji, ky lloj nieri asht mësallë me dy faqe, e pse vetë asht faqezi, rrencak e i pandershem, mendon m’e perdorë Zotin per pluhun sysh e porsi kavi e mjet gënjimi e tradhtije (O. Zimmermann. Soll die Religion sein? ,Freiburg 1914, 14).
Ka m’u gjetë kush, me thanë, se intoleranca teoretike-dogamtike, qi mprojm, rrjedhë prej rrethi të vogël të njohtsive e prej zembres së ngushtë, qi kemi na të Hyllit por na u a kthejm dalë fjalen ktyne zotnive e u thomi, se dobsi e ligshti nuk asht qindresa nder parime e lealiteti, por paqindresa e indeferentizmi fetar, i cilli edhe gjytetnisht m’e shikjue, asht poshtersi e mungessë karakteri. Nji niei i ndershem do ta luftojë gabimin e rrenenm, të cillat në ndergjegjen tonë janë porsi dy kulshedra, të cillat u rrin per ball së vertetës e drejtis. E qe, sese permrena nesh veti prej veti nisë dyluftimi menduer e ndiesuer.

Tashti, nji nieri i sinqertë nuk e mohon as per jashta kundershtimin, qi ndien per gabimin e rrenen, prandej nuk ka si i thotë marshalla së keqes e gabimit me të menueme, per pa fye edhe randë ligjen e moralit, qi asht karakteri, ndergjegja e arsyeja. Na nuk do të durojm, qi e zeza të thirret e bardhë, e shtremta të mahet e ndrejtë, paudhsija per drejtsi, terri per dritë etj, prandej e kemi me detyrë mos m’e pranue as mos me iu perulë kurr së keqes; porse në ket luftim, nji nieri sikush perdore mjete e mnyrë të deja per nji t’urtë, as s’ban kurr qi e drejta të mprohet me rrena, ndersa me të shame e me poshtnime, vertetsija me shpifje e paudhsi, nji ideal aq i naltë, si asht religjioni, të mahet e të ngadhnjejë neper të shame, fjalë të poshtme e tjera mnyrë të padeja.

Çë do nieri e ka detyrë ta ndjekë ndergjegjen e vet t’informueme mirë, veçse në ndjekje e në mprojtje të persekucjonit të vet, do të ket per zemer të verteteten e jo poshtnimin e shoqit, namin e vet, nemuzin e damit etj, etj.
Shteti jonë ka xanë e man porsi trazuesin e qetsis gjytetse e shtetnore nji kedo, qi qet pishat e kallë anmiqsi nder elementa fetar të nryshëm.


2. Sa mprojm intolerancën teoretike-dogmatike, aq jemi per tolerancën praktike-gjytetse. Mas këtij parimi do të dijm me da punët prej personavet, gabimet e ata qi gabojn.

Na do ta dnojm rrenen e gabimin, por vetjet gabuese do t’i ndjekim me dashtni të sinqertë e me nderim. Kjo detyrë themelohet në ligjen e moralit të pergjithtë, a ma mirë me thanë, në natyrë të nierit, masn së cillës na veti prej veti shtyhemi me njohtë disa tagre nder tjerë (nderimi), me ndie të mirën e të keqen e tyne (dashtnija). Kjo ligjë natyre në nji nieri të gjytetnuem asht e zhvillueme në ma të nalten shkallë. Pra vetë ligja e natyrës na mëson me e dashtë e m’e nderue nji nieri çë do besimi të jet; me kulturë e gjytetnim kjo dashtni mund të mërrijë m’u kapë deri në shkallën heroike.

Ket nderim e ket dashtni per nierz, pa nryshim besimi, nji kristjan e ka per ideal, si e shofim b.f. nder smuetore, ku motrat e dashtnis u sherbejn njinji të gjith të smuetve; nji per nji ndodhë nder të gerbulun, ku fretent, pa kursye jeten as fare, u sherbejn të prekunvet prej soje, me gjithë se nuk janë nji besim me ta.

E jo vetun asht nji ideal, por per nji kristjan asht edhe nji detyrë e randë të shkojë mirë me nierzt e besimevet tjera, aq sa, nuk asht mireme Zotin, nji kristjan, i cilli man të keq me këdo tjeter që farë do besimi. Qe se shka dishmon nji protestant (Dr. Pfaunküche, Frankfurter Zeitung Kallnduer 1926 N.29.30.) mbi ket punë: “Kisha katolike tue pasë ba fort me vend nji nryshim ndermjet intolerancës dogamtike e tolerancës gjytetse, ka gjetë udhen praktike e mnyrën e mjaftueshme perme shkue motin në paqë nierzt e besimevet të nryshme”.
S’kemi të drejtë ta perbuzim persuazjonin e kurrkuj as s’do t’i perbuzim vetjet, qi nryshojn prej nesh me perzuacjone e me besim, mu ma teper do të ndiejm per taposi per nji vëlla. Kjo tolerancë nuk ndalet këtu. Edhe athere kur shoqi e ka gabim hin sherrija e vullnesa ekeqe, as athere nuk do të mungojë dashtnija, pse de internis, mbi ndergjegje s’ka hat nieri, por vetun Zotit do t’i lehet me gjykue. Kush don me kenë durue do të dije edhe me durue, e na qi lypim tolerancë do të dijm me tolerue tjerët. Kjo mnryë rrnese shoq me shoq asht nji virtyt shoqnuer fort i naltë e vin sa të gjitha tjerat virtyte shoqnore, pse tregon e nekupton burrnin, zemren e mirë, zotsin vetjake, madhnin shpirtnore e tjera të mira nierzore të pashoqe.
Sikurse pra intoleranca teorike-dogmatike pshtetet në vertetsi, ashtu toleranca gjytetse e praktike do të pshtetet në dashtni.

3. Po ka edhe nji tjeter mnyrë se si mund rrnojn në paqë nierz me besime të nryshme, e kjo asht toleranca shtetnore-politike.

Kjo nuk i perket drejtpërdrejti nënshtetasvet, siu perket toleranca gjytetse, por asht fill punë e shtetit e ligjvet shtetnore. Kundrejtë njia shum besimevet, shteti në mnyrë t’arsyeshme cakton praktikisht mnyren e rrnesës e përpjekjet me to në tri mnyrë: ja ua njehë organizimin si e kann e u ep fuqi ligjore, ja ua kufizon neper mjet të nji marrveshjes a të konkordati, ase sjelljet, e mnyren e rrnesës së besimtarvet të nryshem i man porsi doke të vendit e len të vijojn m’u majtë. Kjo tolerancë mund të mërrijë deri paritetase në barazimin a kundrimin e paanshem të besimevet prej ane të shteti. Shumherë edhe nder shtet, të gjytetnueme, ku pariteti i besimevet asht në parim, praktikisht i mahet krahia salvohet msheftas njeni besim a tjetri, e këta ndodhe prej nryshimit të vetjeve qi e kann ligjen në dorë, si janë deputett, ministrat e tjerët zyrtarë të naltë.

Shteti shqyptar u deklarue afetar, per me muejtë kështu me shue e me fikë anmiqsit e kundershtimet, qi do të kishin bijtë, po t’ishte deklarue per njenin besim a per tjetrin. Porse shteti jonë, tue u deklarue afetar, nuk u deklarue ateist, si gabueshem kann muejtë me kujtue disa, por me kaq diftoi se nderon të gjitha persuazjonet fetare të myslimanvet edhe të kristjanvet, e perpara shteti nuk ka preferencë as njeni besim as tjetri,pse shteti asht afetar d.m.th. i paanshem kundrejt besimvet.

Ate Anton Harapi: Hylli i Dritës. Nr. VI. 1930







All the contents on this site are copyrighted ©.