2012-02-20 14:44:23

20 shkurti 1991 në Shqipëri përkujton fundin e regjimit komunist


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 shkurt përkujtojmë përvjetorin e rrënimit të përmendores së diktatorit Enver Hoxhës në Tiranë, që shënoi mbarimin e regjimit diktatorial komunist ateist në Shqipëri. Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbe monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e copëtoi. E copat u rrëmbyen për t'u asgjësuar përgjithmonë....
Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë përvjetor, një notë të ipeshkvijve katolikë çekë, shkruar pak vite më parë, në valën e polemikës për akuzat e shumë qytetarëve si spiunë të sigurimit, përmes së cilës shpjegojnë ata se “Kisha e Populli, mbi të gjitha, kanë qenë të persekutuar, kanë qenë viktimë. Është për t’u çuditur – shënohet në notë – që mjetet e komunikimit sulmojnë njerëz, të cilët në fund të fundit kanë qenë viktima, ndërsa tolerojnë pa fjalë, praninë e komunistëve të djeshëm ose të trashëgimtarëve të tyre në parlament e në të gjitha postet më të rëndësishme të Shtetit e të shoqërisë”.
Sido që të jetë, data e 20 shkurtit të vitit 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i diktatorit Enver Hoxhës që ishte i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë dhe e demokracisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau, shkatërroi e shkretoi popullin dhe vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë, pasojat negative të të cilin ende sot rëndojnë.
Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Po, nuk mund e kurrë nuk duhet harruar krimet, terrorin, përndjekjet, viktimat, gjakun e pafajshëm, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.







All the contents on this site are copyrighted ©.