Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar përvjetorin e lindjes të atdhetarit të flaktë,
politikanit të pakorruptueshëm, studiuesit, shkrimtarit dhe publiscistit të shquar
të Rilindjes sonë Kombëtare, laikut katolik Luigj Gurakuqi. Vështirë ta përmbledhësh
në pak fjalën figurën e tij vigane! Luigj Gurakuqi, shembull i pashembullt në jetën
kombëtare e politike të sotme shqiptare, lindi në një familje të njohur katolike shkodrane
më 19 shkurt 1879. Nxënës i Kolegjës Saveriane të Etërve jezuitë, ai u rrit në
mjedisin e Shkodrës katolike me frymën e përkushtimit "Për Fé e Atdhé", përkushtim
që e thelloi më tutje ndërsa vijonte studimet në Shën Mitër Korone, ku pati fatin
të ishte nxënës i De Radës. Bëri emër në shtypin shqiptar si publicist e poet me pseudonimet
Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda. Shkrimet e tij publicistike u botuan në "Albaninë" e
Konicës, në “Kalendarin Kombiar", në "Drita" e organe të tjera të shtypit të kohës.
Vjershat e tij tashmë janë përmbledhur në një vëllim të vetëm, që përfshin edhe studimin
"Vargnimi në gjuhën shqipe", një nga sprovat e para të studimit të metrikës shqipe.
Botoi edhe shumë tekste shkollore. Qe anëtar i shoqërisë "Bashkimi", pjesëmarrës
në Kongresin e Manastirit, Drejtor i parë i Normales së Elbasanit, krahu i djathtë
i Ismail Qemalit në ngritjen e Flamurit kombëtar në Vlorë më 28 nëntor 1912. Pas krijmit
të shtetit shqiptar, u ul në postin e ministrit të arsimit, prej nga i dha jetë Komisisë
Letrare. Mori pjesë edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Antizogist i flakët,
tribun i popullit, "gojëmjaltë e zemërhekur", pas fitores së Zogut u arratis në Bari
të Italisë, ku këtë "Vigan liberator" e vranë, sepse - siç shkruan bashkëluftëtari
i tij i ngushtë, Fan Noli: "E deshi Shqipërinë, kur s'e deshnin/ E qau, kur e qeshnin/
E veshi, kur e çveshnin". E Shqipëria e asaj kohe s'i dha as varr - për hor! Ndërsa
sot eshtrat e tij prehen pas një mali me plehra, në atë që njihet si varreza e dëshmorëve,
në rrugën që çon nga Shkodra në Rrencë. Por shkruan Gurakuqi në kryeveprën e vet poetike
"Qindresa": "Veç një qëllim i naltë të ban me durue/ e zemrën ta forcon/ ndër kundërshtime
s'vyen kurr me u ligshtue/ Mjer ai që nuk duron!".