Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar “B"
Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të
së dielës, kësaj radhe të dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas
kalendarit liturgjik. Nën udhëheqjen e Shën Markut Ungjilltar, këtë të diele do
të bëjmë edhe një hap më tej, një hap përpara në njohjen e figurës së Jezu Krishtit,
në njohjen e identitetit të vërtetë të Tij. Këtë, Shën Marku ungjilltar e bën përmes
një ngjarjeje të jashtëzakonshme, përmes shërimit të një personi të paralizuar. Pjesët
biblike vejnë në dukje se kjo mrekulli e shërimit të të paralizuarit që bëri Jezusi,
është shenjë e një shërimi më rrënjësor, më të thellë se sa shërimi fizik, është shenjë
e shërimit shpirtëror, e shërimit e lirimit nga mëkatet. Pikërisht ky fakt, i faljeve
të mëkateve, na bënë ta kuptojmë identitetin e vërtetë të Jezusit. Ai është Biri i
Zotit, që u bë njeri, për shpëtimin e shërimin shpirtëror të njerëzimit. Si gjithmonë,
edhe sot, një prej aspekteve që i nxitë shumë njerëzit për t’i dhënë kredit apo besim
një personi, është pa dyshim ‘pushteti që ka e që mund ta ushtrojë. Të gjithë ne,
kush ma shumë e kush ma pak, jemi të tërhequr nga pushteti, vrapojnë tek ata njerëz
që janë të pushtetshëm, mundohemi e kërkojmë të vejmë kontakte, lidhje e të kemi marrëdhënie
me njerëz që kanë pushtet, në mënyrë të sigurojmë ndonjë të mirë, ndonjë favor si
në planin personal, po ashtu edhe në atë shoqëror, ekonomik, politik apo fetar. Edhe
Jezusi kishte një ‘pushtet’ e këtë e hetuan dhe e dinin fare mirë banorët e Kafarnaumit,
burra e gra, të sëmurë e të shëndosh, që drejtoheshit plotë shpresë kah vendi ku ai
rrinte. Jezusi nuk e zhgënjeu turmën e popullit: ai e ushtrojë ‘pushtetin’ e vet në
dobinë e njerëzve e pushteti i tij qëndronte në Fjalën shpëtimprurëse të Zotit, që
Ai predikonte dhe dëshmonte me vepra. Ky është pushteti i vërtetë i Jezusit, dhe
pikërisht duke e ushtruar këtë pushtet Ai e dëfton identitetin e vet e qëllimin më
të thellë të misionit të ve: shpëtimi i njeriut prej të gjitha formave të robërisë,
posaçërisht nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes së përjetshme. Nga dëgjimi i leximeve
biblike të kësaj së diele, e kemi më të qartë idenë se Kush është Jezusi!? Kjo është
pyetja që e bën njeriu i çdo epoke; e kjo është pyetja që e bëjmë edhe ne sot. Duke
lexuar e dëgjuar Ungjillin, tashmë e dimë se Jezusi është ai që befason, ai që trondit
dhe ai që e ndryshon jetën e atij njeriu që e takon. Jezusi kumton e predikon mbretërinë
e Zotit; ai shëron të sëmurët, e i prekur nga dhembshuria që ka për njeriun e sëmurë,
e shpëton të gërbulurin. Jezu Krishti është predikatar dhe shërues. Mirëpo…. Ai
është shumë më tepër se kaq. Ungjilltari e bashkë me të edhe Kisha, na kujtojnë se
Jezusi, është “Biri i Zotit, që ka pushtetin t’i falë mëkatet mbi tokë”. Vetëm Zoti
mund ta bëjë këtë gjë (punë) sepse mëkati është thelbësisht e thellësisht fyerje
e Zotit. E pasi Jezusi i falë mëkatet, e bënë këtë si Bir i Zotit, Ai e ka për mision
t’ua komunikojë dhe t’ua ofrojë të gjithë njerëzve faljen e Zotit. Leximet biblike
të kësaj së diele, pra, na thërrasin, të meditojmë e të besojmë se mëkati është një
realitet shumë më i rëndë e më i keq se çdo sëmundje fizike e trupore. Për këtë, veprën
e të falurit të mëkateve, veprën e shpëtimit, Jezusi ua beson apostujve të vet, e
falja – shlyerja e mëkateve është mrekullia e vërtetë për çka çdo njeri sot ka nevojë. Me
shërimin e personit të paralizuar – për çka na foli ungjilli i kësaj së diele – Jezusi
na bënë me dije se, nëse duam, ai na shëron shpirtin, ai na çliron zemrën prej të
këqijave dhe bënë krijesa të reja, njerëz të ri në dashurinë e pakufishme të Zotit
Atë. Mesazhi kryesore i leximeve biblike të kësaj së diele të 7-të gjatë vitit
liturgjik, është i qartë: para së keqes së mëkatit, që e mundon, e sundon, e pushton
njeriun, Jezusi dëftohet e tregohet me fjalë dhe me vepra, porsi Ai që mund ta shërojë
njeriun jo vetëm prej sëmundjeve fizike, por edhe e në rend të parë, rrënjën e thellë
të së keqes, me faljen e mëkateve, do të thotë Jezusi e shëron njeriun edhe nga e
keqja shpirtërore, nga sundimi i mëkatit, nga sundimi e pushtimi i djallit të mallkuar
dhe nga vdekja e përjetshme. Në dhe me Jezusin, mund të rifillojmë gjithmonë një jetë
të re, të lirë e të liruar nga mëkati, nga i keqi dhe nga e keqja. Leximet biblike
të kësaj së diele mund t’i lexoni në Leksionar apo në Bibël: Izaia 43,18-19.21-22-24-25;
Psalmi 41 (40); Letra e ShënPalit 2 Kor 1,18-22; Ungjilli Shën Marku 2,1-12. E
tani më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 7-të gjatë vitit kishtar,
ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik, mund ta dëgjoni këtu......