2012-02-17 13:50:49

Papa me kardinajt për një Ditë reflektimi e lutjeje, 24 orë para Koncistorit.


“Kumtimi i Ungjillit sot, ndërmjet misionit të popujve dhe ungjillëzimit të ri”. Ky, titulli i zgjedhur për Ditën e reflektimit e të lutjes, caktuar nga Benedikti XVI për datën e sotme 17 shkurt, 24 orë para Koncistorit. Në këtë rrethanë, si anëtarët e Kolegjit Kardinalor, ashtu edhe kardinajt e rinj, sot takohen në Sallën e re të Sinodit nga ora 10 e paradites, për të kremtuar së bashku lutjen e Orës së Mesme dhe për ta përfunduar takimin në orën 17.00, me kremtimin e lutjeve Mbrëmësore.
Takimi, njofton një Komunikatë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, paraprihet nga fjala e kardinalit të ri, Timoti Dolan, kryeipeshkëv i Nju Jorkut. Më pas, një komunikim për Vitin e Fesë, nga ana e kryeipeshkvit Salvatore Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Komunikata e vatikanit njofton edhe se atë Karl Jozef Beker, në listën e kardinajve të rinj, për arsye shëndetësore, nuk do të jetë i pranishëm në kremtimin publik të 19 shkurtit. Do të krijohet kardinal në formë private, në një kremtim tjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.