2012-02-17 17:46:48

Nesër, në ditën e parë të Koncistorit, do të miratohen dekretet për kanonizimin e shtatë Shenjtorëve të rinj


Në ditën e parë të punimeve të Koncistorit, siç është njoftuar, do të votohet edhe për disa çështje kanonizimi. Kanë të bëjnë me tre burra, ndërmjet të cilëve, dy martirë, dhe katër gra, dy laike.
Janë: Tekakwita (ajo që i vë punët në rregull), emri indian i Katerinës, e cila pas pak ditësh do të jetë Shenjtorja e parë lëkurëkuqe e Amerikës. Jetoi e vdiq duke u lutur, në vitet e largëta 1600.
I dyti, martiri 17 vjeçar filipinas, Pedro Kalunsgod, katekist i përgatitur nga jezuitët spanjollë, u mbyt mizorisht, më 1593, prej njërit nga krerët irokezë të ishullit Guam të Paqësorit, së bashku me jezuitin, atë Diego, në sa i pagëzonin të bijën. Kufomat e tyre u flakën në oqean.
Jetuan në vitet 1800, dy shenjtorët e tjerë. E para, Barbara Kope, gjermane, fshatare e varfër, emigruar një herë në SHBA; pastaj rregulltare, në shërbim të të gërbulurve në Honolulu. Vdiq ndërmjet të sëmurëve të saj më 1889, pas 30 vjet shërbimi bujar.
I dyti, Xhakomo Berthië, jezuit francez e misionar në Madagaskar, u mbyt gjatë luftës II të vendasve kundër francezëve, në sa përpiqej të shpëtonte të krishterët, që iknin nga tërbimi i kryengritësve e u flak në lumin Mananara.
Bashkëkohës i martirit jezuit, breshiani Gjovani Piamarta. Emri i tij lidhet me themelimin e institutit “Zejtarët e vegjël”, kushtuar të rinjve, që vinin në Breshia për të kërkuar punë; me krijimin e shoqatës së përshpirtshme të meshtarëve dhe të Kongregatës së Shërbëtoreve të Varfëra të Familjes Shenjte të Nazaretit.
Në vitet ‘800 jetoi edhe Karmen Sallés Barangueras, terciare domenikane e, më pas, themeluese e Motrave të Zojës së Papërlyer, kushtuar mësimdhënies. Sot Kongregata e saj është e pranishme në të pesë kontinentet.E fundmja, Ana Shafer, shenjtore laike nga Bavaria, bijë e një zdrukthëtari, vetë rrobalarëse, pas gjymtimit gjatë punës, u bë misionare nga krevati, ku kalonte jetën, pa mundur të lëvizë. E sëmura nisi t’u japë guxim e forcë për të jetuar, njerëzve të shëndoshë, që ngarendën ta vizitonin me shumicë. Si humbi edhe zërin, pas një rrëzimi nga krevati, vdiq duke pëshpëritur me frymën e fundit: “Jezus, unë jetoj në Ty”.







All the contents on this site are copyrighted ©.