2012-02-17 15:16:33

Ndërroi jetë Motër Gjovana Pedali, rregulltare stigmatine, mike e shqiptarëve.


Dje, në orën 4 të mëngjesit, në Shtëpinë e Motrave Stigmatine në Modunjo të Italisë Jugore, ndërroi jetë, në moshën 75 vjeçare, Nënë Maria Gjovana Pedali (Sandonaçi, 29. 06. 1937- Modunjo, 17. 02. 2012), dy herë eprore e Institutit të Motrave Stigmatine e, sidomos, në krye të murgeshave, kur perdja e hekurt, që rrethonte botën lindore, lëkundej e pritej të shembej përdhe, edhe në Shqipëri. Po Nënë Gjovana nuk e priti shembjen. E kapërceu me guxim perden, kur mbahej ende e nuk i dihej me siguri fundi. Ishte e para rregulltare që shkelte në Shkodër, më 1991 menjëherë pas sinjaleve të para të rikthimit të fesë në vendin e vogël, të vetëm, ateist në botë. Nëna vinte në Shqipëri për të kërkuar bijat e humbura të një province në lulëzim, me të cilat Instituti kishte lidhje tejet të zbehta, përmes kartolinave të ndrojtura, dërguar për festa me emrat shekullarë, për të mos u ndaluar nga censura e rreptë postare e kohës. Këto forma të brishta komunikimi, ruhen edhe sot e kësaj dite në arkivin e Stigmatineve, në Shtëpinë e tyre të përgjithshme, në Romë. Janë dokumente, që flasin për Kishën e katakombave. Kur Gjeneralja, siç e thërrisnin motrat shqiptare, arriti në Shkodër, gjeti vetëm gërmadha njerëzish e ndërtesash. I vuri shpatullat rilindjes së Provincës Stigmatine, duke grumbulluar me zell të jashtëzakonshëm motrat e plakura, të dërmuara, të persekutuara e edhe të martirizuara, për të formuar me to bërthamën e provincës së rilindur. Falë veprimtarisë së Nënë Gjovanës, motrat shqiptare u riorganizuan, u mjekuan, u rikthyen në kuvendin e vjetër, ku rinisi jeta e re. E edhe qarkullimi i gjakut të ri.
Kuvendi e Kisha e Stigmatineve, asokohe Klub Rinie, iu rikthyen motrave; e edhe rrugës, emri i saj i vjetër “Rruga e Murgeshave”.
Nënë Gjovana nuk u mjaftua me vizita të shpeshta në Shqipëri. Një ditë ajo e la Italinë e shkoi të jetonte në vend, ku kaloi disa vjet në shtëpinë e re të stigmatineve, në Dajç të Bregut të Bunës. Nisi edhe të belbëzonte nga pak shqip.
Kur u rikthye në Romë, e zgjedhur gjithnjë në Këshillin e Përgjithshëm të Institutit, ajo la në Shqipëri një mori miqsh, që nuk ngurronin t’i trokisnin në portën e Shtëpisë, në Via del Forte Trionfale, ku i priste gjithnjë me buzëqeshjen e saj tipike prej motre e prej nëne.
Ishte grua e rrallë, me zemër të madhe, që dinte të bënte vetëm miq e të krijonte rreth vetes atmosferën tipike françeskane të paqes e të mirave. Kështu do të mbetet në kujtesën e atyre, që e njohën dhe e deshën.
Ndonëse nuk i mungonin plagët. Quhej Stigmatine, domethënë, motër e vogël e Krishtit të Kryqëzuar, që kishte marrë mbi vete vullnetarisht, pesë plagët e Zotit.
Trupi i Nënë Gjovanës u mbart nga Modunjo, në Sandonaçi të Brindizit, vendlindje e stigmatines, ku sot, në orën 16.00 u kremtua Mesha e dritës, pas së cilës, Motra e ndjerë u varros në varrezën e vendlindjes. Pushoftë në paqe!







All the contents on this site are copyrighted ©.