2012-02-17 17:50:57

Koncistori: Papa dhe kardinajtë, së bashku për një ditë lutjeje kushtuar ungjillëzimit të ri.


Në prag të Koncistorit për krijimin e 22 kardinajve të rinj, sipas dëshirës së Papës, në Vatikan, u mbajt një ditë reflektimi e lutjeje me Kolegjin Kardinalor dhe kardinajtë e rinj. “Kumtimi i Ungjillit sot, ndërmjet misio ad gentes dhe ungjillëzimit të ri”. Ky, titulli i zgjedhur për Ditën e reflektimit e të lutjes, 24 orë para Koncistorit.
Anëtarët e Kolegjit Kardinalor, ashtu edhe kardinajtë e rinj, u takuan në Sallën e re të Sinodit në orën 10.00 të paradites, për të kremtuar së bashku Orën e Mesme. Takimin, që përfundoi pasdite, me kremtimin e Mbrëmësoreve, e hapi kardinali i ri, Timoti Dolan, kryeipeshkëv i Nju Jorkut. Më pas, një komunikim për Vitin e Fesë, nga ana e kryeipeshkvit Salvatore Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri.
Në një artikull, botuar nga “L’Osservatore Romano”, imzot Guido Marini njofton se lidhur me zhvillimin e Koncistorit, u bënë disa ndreqje të vogla, të miratuara nga Papa. Në mënyrë të veçantë, shpjegon Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, kujtojmë se Papa do t’ua dorëzojë kardinajve të rinj unazën kardinalore dhe kësulën gjatë Koncistorit, e jo gjatë Meshës Shenjte, që do të kremtohet një ditë më pas, Meshë falënderimi drejtuar Zotit, për dhuratën që i bëri Kishës me kardinajtë e rinj.
Pas Koncistorit të nesërm, i katërti i Benediktit XVI, Kolegji Kardinalor do të ketë 213 kardinaj, nga të cilët, 125 me të drejtë zgjedhore e 88, mbi moshën 80 vjeç.
Përmes një komunikate, u njoftua edhe se atë Karl Jozef Beker, në listën e kardinajve të rinj, për arsye shëndetësore, nuk do të jetë i pranishëm në kremtimin publik të 19 shkurtit. Do të krijohet kardinal në formë private, në një kremtim tjetër.









All the contents on this site are copyrighted ©.