2012-02-16 15:57:33

Të shtunën në Vatikan mbahet Koncistori i Rregullt Publik për krijimin e kardinajve të ri


Gjithçka është gati për Koncistorit e katërt të kohës së Papës Ratcinger që do të mbahet këtë të shtune më 18 dhe këtë të diele më 19 shkurt në Vatikan. Krijimi i kardinajve të ri parashikon një rit të ndarë në dy ditë të ndryshme.
Të shtunën më 18 shkurt, në ora 10.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI do të mbajë Koncistorit e Rregullt Publik për krijimin e 21 kardinajve të ri (një, i 22-ti është i sëmurë e atij do të dorëzohet “bereta” apo “qellesha tricepëshe” më vonë në formë private), prej të cilëve 18 të ri me të drejtën e ‘zgjedhjes’ së Papës e tre kardinaj tjerë me moshën mbi tetëdhjetëvjeçare.
Në përfundim të ritit, Papa do të mbajë edhe Koncistorin për kanonizimin e shtatë të lumturve të ri. Pas dite në Vatikan do të zhvillohen “vizitat e përzemërta” tek kardinajt e ri.
Me rastin e shpalljes së emrave, më 6 janar, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, shpjegoi edhe se Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore, me miratimin e Papës Benediktit XVI, ka bërë disa ndryshime.
Propozohet përsëri riti i 1969-s, ndryshojnë lutjet e hyrjes e ato përfundimtare. Edhe kumtimi i Fjalës së Zotit do të ketë një formë më të shkurtër, ndërsa unifikohen, në një rit të vetëm, tre çastet kulmore: ai i vënies së simboleve siç është ai kësulës, ai i dorëzimit të unazës kardinalore dhe i Kishës titullare ose i diakronisë.
Tani që nuk ka më dallime ndërmjet Koncistorit publik e atij sekret, u pa e arsyeshme të përmblidheshim tre çastet më domethënëse të krijimit të kardinajve të rinj, në një rit të vetëm. Mbetet siç ishte, ndërkaq, tradita e bashkëkremtimit të Papës me kardinajtë e rinj, një ditë pas krijimit. Kremtimi hapet me përshëndetjen, që i drejton Pasardhësit të Shën Pjetrit, Papës, në emër të të gjithëve, i pari i kardinajve, për t’i shprehur mirënjohjen dhe nderimin.
Një ditë më pas, të dielën më 19 shkurt, në festën e Katedrës së Shën Pjetrit, në ora 9.30 gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit, Papa do të kryesojë Meshën në bashkëkremtim me kardinajt e ri.
Nga 22 kardinajt, që Papa do të krijojë në Koncistorin e ri, 18 kanë të drejtë zgjedhore; 16 janë evropianë, 4, amerikanë e 2, aziatikë.
Me Koncistorin e 18 shkurtit, Kolegji Kardinalor do të ketë 214 anëtarë, nga të cilët, 125 me të drejtë për të zgjedhur Papën e për t’u zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit, 89, mbi moshën 80 vjeç, pra vetëm me të drejtë këshillimore. Aktualisht Evropa, me 119 kardinaj, nga të cilët 67 me të drejtë zgjedhore, zë vendin e parë në Kolegj. Pasohet nga Amerikat, me 54 kardinaj, nga të cilët 37 me të drejtë zgjedhore. Vjen, pastaj, Azia, me 20 kardinaj, 9 nga të cilët me të drejtë zgjedhore. Afrika ka 17 kardinaj, nga të cilët, 11 me të drejtë zgjedhore; ndërsa Oqeania, 4 kardinaj, nga të cilët, 1 me të drejtë zgjedhore.
Ja dhe emrat e kardinajve të rij, duke nisur nga kardinajt me detyra në Kurien Romake:
Imzot FERNANDO FILONI, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve;
Imzot MA’NUEL MONTEIRO DE CASTRO, Kryependestar;
Imzot SANTOS ABRIL Y CASTELLÓ, Kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe;
Imzot ANTONIO MARIA VEGLIÒ, Kryetar i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët;
Imzot GIUSEPPE BERTELLO, Kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe Kryetar i Governatoratit të të njëjtit Shtet;
Imzot FRANCESCO COCCOPALMERIO, Kryetar i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore;
Imzot JOÃO BRAZ DE AVIZ, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe për Shoqëritë e Jetës Apostolike;
Imzot EDWIN FREDERIK O'BRIEN, Pro-Mjeshtër i Madh i Urdhrit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë të Jerusalemit;
Imzot DOMENICO CALCAGNO, Kryetar i Administratës të Pasurisë së Selisë Apostolike;
Imzot GIUSEPPE VERSALDI, Kryetar i Prefekturës për Çështjet Ekonomike të Selisë së Shenjtë;
Lista vijon me kardinajt, që i shërbejë dioqezave të ndryshme nëpër botë:
Fortlumturia e Tij, GEORGE ALENCHERRY Kryeipeshkëv i Madh i Ernakulam - Angamaly i Siro-Malabarezëve në Indi;
Imzot THOMAS CHRISTOPHER COLLINS, Kryeipeshkëv i Torontos (Kanada);
Imzot DOMINIK DUKA, Kryeipeshkëv i Pragës (Republika Çeke);
Imzot WILLEM JACOBUS EIJK, Kryeipeshkëv i Utrecht (Vendet e Ulëta);
Imzot GIUSEPPE BETORI, Kryeipeshkëv i Firences (Itali);
Imzot TIMOTHY MICHAEL DOLAN, Kryeipeshkëv i Nju Jorkut (SHBA);
Imzot RAINER MARIA WOELKI, Kryeipeshkëv i Berlinit (Republika Federale e Gjermanisë);
Imzot JOHN TONG HON, Ipeshkëv i Hong Kongut (Republika Popullore Kineze);
Fortlumturia e Tij, LUCIAN MUREŞAN, Kryeipeshkëv i Madh i Făgăraş e Alba Iulia-s të Rumunëve (Rumani).
Së fundi, tre kardinaj të rinj nga bota akademike:
Imzot JULIEN RIES, Meshtar i Dioqezës së Namyr e Profesor nderi i historisë së feve pranë Universitetit Katolik të Luvën;
Atë PROSPER GRECH O.S.A. (Urdhri i Shën Agostinit), Docent nderi i disa Universiteteve romake e Këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë;
Atë KARL BECKER, S.I., Docent nderi i Universitetit Papnor Gregorian.







All the contents on this site are copyrighted ©.