2012-02-16 17:49:38

Kosova në 4 vjetorin e Pavarësisë. Ambasadori Albert Prenkaj


Më datën 17 shkurt Kosova shënon katër vjetorin e pavarësisë. Në përvjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit të Kosovës, nuk mund të mos përmendet e të kujtohet arkitekti e ideologu i pavarësisë, Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Ai përshkoi shtigje e procese të mëdha në udhën paqësore e largpamëse duke përballuar vështirësi e pengesa të shumta e të mëdha, deri edhe dhunën e luftën. Ai vijoi me qëndresë të jashtëzakonshme në udhën drejt lirisë e pavarësisë, duke iu përmbajtur strategjisë jo të dhunshme, duke mos bërë kompromise as me serbët, as kundërshtarët e brendshëm e as me ndërkombëtarët. Ibrahim Rugova ishte i bindur se e mira, e drejta dhe gjaku i pafajshëm i popullit, që jo vetëm dekadave të fundit, por gjatë shekuj është derdhur, do të kurorëzohej një ditë me ngadhënjimin e fitores përfundimtare. Ai pra është e mbetët një nga personalitetet më të fuqishme që pati bota shqiptare në fundshekullin e kaluar, që udhëhoqi proceset e mëdha për lirinë dhe realizimin e pavarësisë.
Katër vjet pas shpallje së pavarësisë, Republika e Kosovës është njohur nga 87 Shtete të botës, ka bërë hapa të mëtejshëm drejt përforcimit të Shtetit e të strukturave shtetërore, ka punuar në përforcimin e vlerave demokratike dhe në krijimin e perspektivave më premtuese e më të mira për qytetarët. Po në këtë proces të rëndësishëm, Kosova ka ende shumë sfida e punë për të bërë për të vazhduar në forcimin e institucioneve demokratike të vendit, si dhe për shpejtimin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë Shtetit të Kosovës, në mikrofonin e Radio Vatikani flet ambasadori i Kosovës pranë Shtetit të Italisë, në Romë, zoti Albert Prenkaj, ta dëgjojmë................00:04:33:86
Nga fjala e Ambasadorit të Kosovës, zoti Albert Prenkaj, mbajtur në festën e Pavarësisë së Kosovës në Romë më 16 shkurt.

Është ky viti i katërt kur Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë organizon takimin me miq e kolegë në Ditën e Pavarësisë. Mu nga këtu kam pasur nderin t’ju shpall kumtin e mirë të hapjes së Ambasadës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin mik Italian.
E njohur nga 87 vende, vetëm në vitin e kaluar është njohur nga 13 vende mike, anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore, së shpejti do të aderojë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, këtë vit me hapa të përshpejtuar po aplikon agjendën Evropiane, e cila do të fillojë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe aderimin në mekanizmat e BE-së. Vizioni ynë është që të anëtarësohemi në BE si rajon i tërë i kësaj pjese të mbetur të Evropës, duke lënë anash mentalitetin e vjetruar të zgjidhjes së problemeve në mënyrë parciale. Gjuha jonë është gjuhë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit Euro-Atlantik sepse Republika e Kosovës së bashku me vendet mike prodhon paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës.
Në fund më lejoni që në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Sh.T. Hoxhaj, të shpreh falënderimet për kontributin personal, profesional dhe institucional gjatë shërbimit në Kosovë, por edhe këtu në Itali, gjithnjë në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes dy vendeve dhe dy popujve tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.