Dom Pjetër Zarishi, meshtar e poet në përvjetorin e lindjes.
Duke shfletuar kalendarin historik më 16 shkurt kujtojmë përvjetorin e lindjes së
meshtarit e poetit shqiptar dom Pjetër Zarishit. Prifti dhe poeti atdhetar shqiptar
dom Pjetër Zarishi lindi në Blinisht, fshat në veri të Shqipërisë, më 16 shkurt 1806.
Mësimet e para i kreu në shkollat vendase të Kishës në atë kohës, studimet e larta
filozofike e teologjike i kreu në Romë. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, u kthye
në atdhe. Duke nisur nga viti 1831, shërbeu si meshtar e më vonë edhe si Abat në Orosh
të Mirditës, ku krahas misioni të tij meshtarak e ungjillëzues, punoi njëkohësisht
edhe në detyra tjera kishtare si ato administrative e si sekretar i dioqezës së Sapës.
Krijues i talentuar, dom Pjetër Zarishi vijon traditën e filluar nga poeti i letrave
shqipe, Atë Pali prej Hasi, duke shkruar një varg poezish me përmbajtje biblike e
këndej fetare, patriotike e shoqërore, që zënë vend të merituar në Historinë e Letërsisë
Shqipe. Një pjesë e vjershave të tij janë botuar në revistën françeskane "Hylli
i Dritës" më 1914 dhe me 1936 nën kujdesin e etërve françeskanë e disa tjera në antologjinë
“Shkrimtarët shqiptarë” nën kujdesin e Filip Fishtës. Të tjerat mbeten në dorëshkrim.
Ndërmjet tyre kujtojmë "Kanga e Shqypnis", "Bylbylit"; "Kanga e Shebes" e një poezi
kushtuar derës fisnike të Gjomarkajve të Mirditës. Poezitë e dom Pjetër Zarishit përshkohen
nga ndjenja të fuqishme të një shpirti të shqetësuar, që e jeton thellë tragjedinë
e Atdheut e të popullit të pushtuar, të cilin dëshiron ta shikojë sa më parë të çliruar
nga pushtuesi shumëshekullor otoman. Vendin kryesor në krijimtarinë e meshtarit
e zënë poezitë me përmbajtje biblike: shkroi edhe lutje poetike, himne e tekste këngësh
të përshpirtshme fetare, për të cilat kishte aq shumë nevojë populli i krishterë i
Mirditës së varfër ku kryente misionin e ati shqiptar në përgjithësi, sepse ato i
shërbenin edhe si një katekizëm tepër i kuptueshëm e i lehtë për t'u mbajtur mend.
Ndërmjet tyre kujtojmë poezinë "Dita e Gjyqit". Dom Zarishi është një nga poetët
e parë shqiptarë që provoi me sukses tingëllimën dhe një sërë mjetesh të tjera të
vargëtimit, që pasuruan metrikën shqiptare. Të dhënat flasin edhe për hartimin nga
ana e tij të një fjalori e të një gramatike të shqipes, të cilat, si shumë e shumë
vepra të klerikëve shqiptarë, kanë humbur apo janë sekuestruar gjatë persekutimeve
që nuk i kanë munguar kurrë Kishës katolike e posaçërisht asaj ndër shqiptarë.