2012-02-16 15:57:56

Benedikti XVI seminaristëve romakë: mos iu bindni pushtetit të financës e të mediave, të cilat, megjithëse të domosdoshme, mund ta shtypin njeriun


I krishteri duhet të jetë i lirë e nuk duhet t’i bindet pushtetit të financës e të mediave, të cilat, megjithëse janë të nevojshme, mund ta shtypin njeriun. Kështu foli Papa Benedikti XVI, pasditen e djeshme, gjatë “Lectio Divina”, mbajtur për 190 meshtarët e ardhshëm, përfaqësues të pesë seminareve romake, në selinë e Seminarit të Madh Papnor Romak, me rastin e festës së Zojës së Besimit, Pajtore e tij. Ati i Shenjtë reflektoi mbi Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve. Apostulli i Popujve i fton të krishterët ta ofrojnë trupin e tyre si fli të pëlqyeshme për Zotin e të mos shkojnë sipas rregullave të botës, por ta lejojnë Zotin t’ua shndërrojë zemrat. Kjo nuk do të thotë të jetosh jashtë botës, nënvizoi Papa, është rrugë për të qenë i lirë. Ati i Shenjtë u përqendrua në pushtetin aktual të financave e të mediave, të cilat megjithëse i duhen njeriut, ka rrezik ta shtypin atë:
“Bota e financave nuk përfaqëson më një mjet për favorizimin e mirëqënies, për përmirësimin e jetës së njeriut, por kthehet në pushtet që shtyp, që gati-gati duhet adhuruar, kthehet në “mamonë”, në hyjninë vërtet të rreme, që mbizotëron në botë. Kundër këtij konformizmi, që çon në nënshtrimin para këtij pushteti, duhet të jemi jo konformistë: nuk ka rëndësi të kesh, por të jesh! Të mos nënshtrohemi, ta përdorim (financën) si mjet, por me lirinë e bijve të Zotit”.
Njëlloj, edhe informacioni nuk hedh vërtet dritë mbi ngjarjet e kësaj bote, duke u bërë më i rëndësishëm se vetë realiteti. Madje, theksoi Benedikti XVI, bota virtuale, ajo e internetit dhe e rrjetit, mund të bëhet më e rëndësishme se ajo reale. Por i krishteri nuk mund t’i bindet udhës së shumicës, thjesht për faktin se është shumicë:
“Antikonformizmi i të krishterit na shpëton, na kthen tek e vërteta. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të jemi njerëz të lirë në këtë antikonformizëm, që nuk është kundër botës, por është dashuria e vërtetë brenda saj”.
Sot, flitet shumë për Kishën e Romës, vërejti Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh sulmet e fundit mbi institucionet e saj dhe mbi klerin katolik:
“Edhe sot, flitet shumë për Kishën e Romës, për shumë gjëra, shpresojmë të flitet edhe për fenë tonë, për fenë shembullore të Kishës së Romës dhe e lusim Zotin pikërisht për këtë, që të flitet jo për kaq shumë gjëra, por për fenë e Kishës”.
Pastaj, paralajmërimi i Benediktit XVI: krishterimi nuk është spiritualizëm, moralizim, por mishërim. Ftesa e Shën Palit për ta ofruar trupin për Hyjin është ftesë për të qenë një me Zotin:
“Realiteti i Zotit duhet të hyjë vërtet thellë brenda nesh, që e gjithë jeta – e jo vetëm disa mendime – të jenë liturgji, të jenë adhurim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.