2012-02-15 19:04:09

Parlamenti evropian nuk është dakord me mënyrën e administrimit të krizës greke


Një vend, si Greqia, që në lashtësi i ka dhënë Evropës filozofët e saj, parimet bazë të demokracisë e të qeverisjes, mitet helenike, që edhe sot mësohen në shkollë, zvarritet mes mundimesh drejt humnerës ekonomike, pa gjetur askënd ta shpëtojë vërtet. E famshmja “Trojkë”, e përbërë nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane, i jep me pikatore ndihma djepit të qytetërimit evropian, duke i kërkuar sakrifica të jashtëzakonshme popullit grek, jashtë çdo parimi solidariteti. Është njësoj sikur nxënësi ta shohë profesorin e vet të vuajë e të mos i japë një pikë ujë, pavarësisht se edhe “profesori” ka fajin e vet. Madje, edhe më keq… Vërtet, Gjermania e Franca i kanë kërkuar Athinës të blejë nga arsenali i tyre ushtarak, në këmbim të mbështetjes për dhënien e ndihmave. E sot, më në fund, ngre krye Parlamenti Evropian, i cili kërkon të dijë nëse qëndrimi i “Trojkës” bazohet apo jo mbi parimet demokratike. Të dëgjojmë presidentin e Lëvizjes Evropiane, Pier Virgilio Dàstoli:RealAudioMP3
Trojka shkon me mision në Athinë mbi bazën e një mandati, dhënë nga Komisioni Evropian, nga Eurogrupi, pra nga institucionet që sot, kanë në dorë jo vetëm fatin e Greqisë, por në përgjithësi, fatin e euros e të projektit evropian. Pavarësisht nga roli i Trojkës, problemi më i përgjithshëm është: deri në ç’pikë puna e saj përkon me disiplinën demokratike? Kujt i përgjigjen sot, ata që marrin vendime në Bruksel, në emër të 17 vendeve të Eurozonës?







All the contents on this site are copyrighted ©.