2012-02-15 19:59:51

Papa bekoi një kopje të Portës së Shenjtë, që do të vendoset në muzeun Vojtila.


Benedikti XVI bekoi, në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Sallën e Palit VI, përplot me shtegtarë, një riprodhim të Portës së Shenjtë të Bazilikës së Vatikanit. Është ajo Portë, që e kapërceu Gjon Pali II në fillim të Vitit jubilar 2000. Ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore, Papa polak gjeti forca ta kapërcente Portën, që shënonte kalimin në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit, duke i prirë, kështu Kishës kah kohët e reja.
Tani kjo Portë, e rikrijuar nga artistët, do të ketë një vend nderi në muzeumin e ngritur pranë shtëpisë ku lindi i Lumi Karol Vojtila, në Vadovice. Është kopje besnike, por me një element më shumë: në anën e saj të mbrapme, shkruhet, në dhjetë gjuhë, ndërmjet të cilave, edhe gjuha ruse e ajo kineze, thirrja e Gjon Palit II, në fillim të papnisë: “Mos kini frikë! Hapjani në dy kanatat portat Krishtit!”.
Nisma iu paraqit Benediktit XVI nga një grup polakësh, ndërmjet të cilëve, kardinali Rilko, ambasadorja e Polonisë pranë Selisë së Shenjtë, Hana Suhotska, artistët, që realizuan veprën dhe drejtori i muzeumit, Pavel Danek, i cili shpjegoi se Porta do të vendoset në një kornizë të posaçme dhe do të quhet ‘Roma e vogël’, për të theksuar, kështu, unitetin në Kishë.Në audiencën e përgjithshme mori pjesë edhe delegacioni amerikan i ungjillorëve luteranë, i cili këto ditë po bisedon me përfaqësues të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në kuadrin e shkëmbimeve të vizitave, për përparimin e dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.