2012-02-15 19:07:56

Pakistan: studentët e krishterë universitarë diskriminohen, sepse “nuk studiojnë Kuranin”.


Në Pakistan, studentët e krishterë, që marrin pjesë në provimet e pranimit në universitetet shtetërore, diskriminohen dhe rrëzohen, sepse nuk e dinë përmendësh Kuranin: është denoncim i Komisionit kombëtar të “Drejtësisë e Paqes”, pranë Konferencës së ipeshkvijve të Pakistanit, përmes agjencisë Fides. Komisioni paraqiti një ankesë zyrtare kundër qeverisë, pranë Gjykatës së lartë të Lahores, duke nënvizuar që në konkurset publike të mos ketë kërkesa, që kanë të bëjnë me fenë islame, siç është mësimi përmendësh i Kuranit.
Problemi lindi kur studenti i krishterë, Aroon Arif, fitoi pikët më të larta të mundshme në provimin për pranim në fakultetin e mjekësisë, pranë Universitetit shetëror të Shkencave të Lahores, por nuk mundi t’i vijojë studimet, sepse nuk e njihte Kuranin. Humbi, kështu, 20 pikët, që u shtohen pikëve të fituara për njohuritë e nevojshme shkencore. Sipas Komisionit të ipeshkvijve dhe disa liderëve të dëgjuar nga gjykata, një praktikë e tillë jo vetëm që është diskriminim, por edhe dhunim i Kushtetutës së Pakistanit.
“Mendojmë se për edukimin e fetar të fëmijëve duhet të kujdesen prindërit, familjarët ose institucionet përkatëse fetare, por jo institutet universitare publike, në të cilat duhet pranuar pa dallim çdo student, që fiton konkursin, pavarësisht nga besojma e tij”, thekson ipeshkvi protestant i Lahores, imzot Malik.
Prelati bën thirrje për barazi dhe kërkon: “Në se studentët që e dinë përmendësh Kuranin fitojnë 20 pikë më shumë, edhe studentët e krishterë duhet t’i fitojnë këto 20 pikë, e jo për njohuritë fetare, por për ato në fushën e informatikës”.
T’i jepet fund diskriminimit, theksohet me forcë në notën e Komisionit të Drejtësisë e Paqes, duke hequr dorë edhe nga paragjykimet fetare, që duhen shënuar në biografitë e studentëve e duke u përqendruar mbi vlerat njerëzore universale.










All the contents on this site are copyrighted ©.