2012-02-15 19:08:08

Egjipt: në Sharqi, Kisha e banesa të koptëve digjen nga 2 mijë fanatikë.


Rreth 2 mijë salafitë dogjën dje kishën e Shën Marisë e të Shën Abrahamit, shtëpinë e famullitarit dhe disa ndërtesa të bashkësisë kopte, në fshatin Met Bashar, provincë e Sharqisë, jo larg Kairos.
Që nga 12 shkurti i kaluar, e gjithë zona është teatër i ndeshjeve ndërmjet ekstremistëve islamikë dhe të krishterëve. Qetësia u rikthye vetëm sot, falë ndërmjetësimit të disa liderëve të partisë Drejtësia dhe Liria e Vëllezërve Myslimanë, që i bindën salafitët të largohen nga fshati. Shkak për shpërthimin e dhunës ishte zhdukja e Rania Khalil, vajzë e krishterë, 14 vjeçe, e humbur që më 12 prillin e kaluar, menjëherë pas kthimit të babait të saj në fenë islame. Vajza u gjet sot e tani është në duart e policisë, që po e pyet së bashku me t’ëmën. Sipas salafitëve, të krishterët e rrëmbyen vajzën, për ta penguar të kthehej në fenë islame. Po ngjarja, si dhe dhuna, kanë shkaqe shumë më të thella. Zëdhënësi i Kishës Katolike, atë Rafik Greike, nënvizon se pas fitores së zgjedhjeve nga partitë islamike, sulmet kundër koptëve po bëhen gjithnjë më të shpeshta, në të gjithë vendin. Rasti më i freskët, por jo i fundmi, është ai i Kobri-al-Sharbat, pak kilometra larg Aleksandrisë. Salafitët u përpoqën të dëbonin 62 familje të krishtera, mbarë bashkësinë kopte të katundit, duke u kallur flakën banesave. Kjo ndodhi pas denoncimit nga ana e disa myslimanëve kundër Murad Sami Guirgis, rrobaqepës i krishterë, i akuzuar se kishte në celular fotografi të paligjshnme të një gruaje myslimane. Fanatikët islamikë, nënvizon atë Greike, i përdorin si pretekst rastet e kthimit nga islami, në krishtërim, e anasjelltas, për ta frikësuar, për ta sulmuar e për ta bërë të ikë bashkësinë kopte, duke braktisur vendin. E kjo ndodh në mbarë Egjiptin. Në mediat përendimore, shpjegon, shpesh herë krijohet ideja se ndeshjet me natyrë fetare ndërmjet të krishterëve e myslimanëve trondisin vetëm Egjiptin e Epërm dhe lagjet e varfëra të Kairos, ku popullsia është injorante. Po kjo nuk është e vërtetë. Dhuna po i gjakos të krishterët edhe në Jug të vendit. Kur flitet për kthim në njërën nga të dyja fetë, nuk ka dallime ndërmjet të pasurve e të varfërve, ndërmjet njerëzve të dijshëm e të padijshëm, ndërmjet Egjiptit të Epërm e atij të Poshtëm. Kush kthehet në krishterim, denoncon atë Greike, dëbohet. Ndërsa kush denoncon kthimet me forcë në islam, nuk mbrohet fare nga autoritetet e, në shumicën e rasteve, detyrohet t’i tërheqë akuzat, përmes presioneve e kërcënimeve. Sipas meshtarit, një situatë e tillë mund të bëhet edhe më e rrezikshme në të ardhmen. Salafitët janë partia e dytë në Egjipt. Falë rezultatit elektoral, ata kontrollojnë 20% të parlamentit e, muajt e ardhshëm, mund t’i përligjin qëndrimet e tyre kundër të krishterëve edhe politikisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.