2012-02-14 16:31:52

Zëdhënësi i ipeshkvijve të Greqisë flet për “një popull pa shpresë”


“Gjendja është shumë e vështirë. E ardhmja duket krejt e pasigurtë, ashtu si edhe qëndrimi ynë në Eurozonë. Populli vuan veçanërisht për këtë pasiguri, që karakterizon jetën e përditshme, sidomos në shtresat më të brishta të popullsisë”. Pas valës së dhunës, të dielën e kaluar, në sheshin Sintagma, në qendër të kryeqytetit grek, pas miratimit të masave të rënda kundër krizës në parlament, flet zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Greqisë, Nikolas Gasparakis. Në një intervistë për agjensinë kishtare të lajmeve Sir, ai përshkruan “një popullsi, që po e humb gjithnjë e më shumë shpresën, të stërmunduar nga shkurtimet, pushimet nga puna e taksat. Por gjendja – thekson Gasparakis – nuk mund të ndryshohet me dhunën e shkaktuar nga disa qindra anarkistë. Personalisht nuk besoj se do të ndryshojë gjë, situata është vërtet e vështirë. Gjermania dhe Bashkimi Evropian tregohen shumë të rreptë, por harrojnë se Greqia paguan edhe për krizën ndërkombëtare, që ka përfshirë vendet evropiane. Është dështimi i kapitalizmit, është triumfi kobzi i ekonomisë pa shpirt e pa etikë. Papa e shpreh mirë këtë në enciklikën “Caritas in Veritate”. Kurrë më shumë se tani – vazhdon zëdhënësi i ipeshkvijve katolikë – Kishat e krishtera, ortodokse e katolike, janë pranë popullit, shpirtërisht e materialisht. Solidariteti vijon për të gjithë, por kemi nevojë për ndihmë. Ka ardhur koha t’i bashkojmë zërat për t’i thënë një fjalë shprese popullit të lodhur e të shqetësuar”.
Një thirrje e ngjashme qe ajo e kreut të ipeshkvijve grekë, imzot Françesko Papamanolis, i cili, para disa ditësh, foli për “gjendje tragjike” dhe kërkoi ndihmën e Selisë së Shenjtë e të ipeshkvijve evropianë. Ndërkaq, në një letër për kryeministrin Lukas Papademos, edhe kryeipeshkvi ortodoks i Athinës dhe i të gjithë Greqisë flet për përmasat e tmerrshme, që kanë marrë varfëria dhe papunësia në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.