Sot, festa e Apostujve të popujve sllavë, Çirilit e Metodit, bashkëpajtorë të Evropës.
Në pagëzim u quajtën Kostantin e Mikel e ishin të bijtë e Leonit, gjykatës në Selanik.
Çirili e Metodi janë emrat e tyre murgarë. Çirili, më i riu, u edukua në Kostantinopojë
së bashku me perandorin e ardhshëm, Mikelin III. Quhej filozofi, sepse jepte mësime
filozofie. Metodi, ndërkaq, ishte epror në një manastir në Bitinie mbi malin e Olimpit,
pasi kishte qenë qeveritar në një nga provincat e perandorisë. Shën Çirili e Shën
Metodi qenë vëllezër gjaku e vëllezër apostullimi. Porsa morën urdhërin e meshtarisë,
kaluan në Moraví për të predikuar Ungjillin. Qenë këta të parët, që sajuan alfabetin
sllav, të quajtur më vonë çirilik dhe që përkthyen në gjuhën sllave Shkrimin Shenjt
e Liturgjinë. U dukën në skenën e historisë, në shekullin IX, kur perandori Mihali
III i Kostantinopojës i dërgoi princit Rastislav të Moravisë, dy ungjillëzuesit që
kishte kërkuar. Niste kështu ungjillëzimi i dy vëllezërve Selanikas, Çirilit e Metodit,
apostuj të mëdhenj të Lindjes. Rastislavi dëshironte misionarë nga Kostantinopoja,
sepse nuk u besonte predikatarëve “latinë”, siç i quante ai, e sidomos atyre me origjinë
gjermanike. Së bashku me dy vëllezërit, u nisën edhe disa bashkëpunëtorë, ndërmjet
të cilëve edhe Shën Klementi, që duhet të kishte kryer studime serioze, sepse u bë
bashkëpunëtor i ngushtë i Metodit në veprimtarinë për përshtatjen e liturgjisë së
Lindjes në gjirin e popullsive që ktheheshin pak nga pak në fenë e krishterë. Vite
me radhë dy vëllezërit selanikas shtegtuan nga Moravia në Panoni (Hungaria e sotme),
nga Roma në Serbinë e sotme. Ungjillëzimi i Evropës lindore vështirësohej nga rivalitetet
politike. Misionarët gjermanikë shikoheshin me mobesim, si vegla në duart e princërve
të tyre. E njëjta gjë ndodhte kur ndokush niste ungjillëzues nga Lindja në emër të
krishtërimit “latin”. Mosmarrëveshjet nganjëherë bëheshin aq të ashpra, sa i detyronin
Shenjtorët vëllezër të largoheshin në drejtime të tjera. Kështu dy Shenjtorëve
vëllezër iu desh të vuajnë shumë, por ia dolën të kthejnë në fé popuj e fise sllave.
Si u thirrën në Romë, Çirili vdiq me 14 shkurt 869, ndërsa Metodi u shugurua ipeshkëv
e u kthye në Panoní, ku vazhdoi misionin si legat i Selisë së Shenjtë pranë popujve
të rinj të kristianizuar prej tij. Vdiq në Velehrad të Çekisë me 6 prill 885. Me
31 dhjetor 1980 Papa Gjon Pali II i shpalli Bashkëpajtorë të mbarë Europës, së bashku
me Shën Benediktin.