2012-02-14 16:38:56

"Himn për dashurinë" nga Shën Pali


Nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve (13, 1-13):

Dhe ja, po ju deftoj më të shkëlqyeshmen udhë!
Po t’i folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,
por të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi cimbali që tingëllon.
Po ta kisha dhuratën e profecisë
e t’i dija të gjitha misteret
e të gjitha dituritë;
po ta kisha edhe fenë e plotë,
me të cilën të mund t’u shdërroja vend maleve,
por po të më mungonte dashuria,
s’do të isha asgjë!
Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time
dhe po ta jepja trupin tim të digjej,
por, po të më mungonte dashuria,
nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria është zemërgjërë,
është e dhimbshme, dashuria,
nuk ka smirë,
nuk mbahet në të madh,
nuk krenohet
nuk është e panjerëzishme,
nuk kërkon interesin e vet,
nuk hidhërohet,
nuk e mban mend të keqen,
nuk i kënaqet padrejtësisë,
por i gëzohet të vërtetës.
Arsyeton gjithçka,
beson gjithçka,
shpreson gjithçka,
duron gjithçka.
Dashuria nuk mbaron kurrë.
Profecitë mbarojnë,
gjuhët shuajnë,
njohuritë marrin fund.
Sepse njohuria jonë është e kufizuar
dhe e kufizuar është profecia jonë.
Por, kur të arrijë përsosmëria,
çka është e kufizuar do të marrë fund.
Kur isha fëmijë,
folja si fëmijë,
mendoja si fëmijë,
arsyetoja si fëmijë.
Kur u bëra njeri i pjekur,
flaka çka i përket fëmijërisë.
Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në
mënyrë të errët,
por atëherë do të shohim faqe–faqas!
Tani njohuria ime është e kufizuar,
atëherë do të njoh plotësisht,
sikurse jam i njohur.
Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria
-këto të tria-
Porse më e madhja ndër to është dashuria.







All the contents on this site are copyrighted ©.