2012-02-14 16:34:23

Emergjenca e motit në trevat shqiptare, rrezik për gratë shtatzëna


Trevat shqiptare në Ballkan vazhdojnë të jenë në morsën e të ftohtit e të dëborës. Përveç bllokimit të rrugëve, bëhet e vështirë edhe ndihma mjekësore e furnizimi me ilaçe. Prej 14 ditësh, banorët e Pukës, të Dibrës, të Kukësit, të disa zonave të Shkodrës, të Hasit e të Tropojës janë ngujuar në shtëpitë e tyre. Mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm, për shkak të ngrirjes së tubacioneve. Shkollat janë mbyllur. Në Malësinë e Madhe, dëbora ka arritur në 3 metra. Probleme edhe në jug e në juglindje të vendit. Është rrëzuar një terracë në Pukë e janë dëmtuar 6 çati në Bulqizë. Dje, kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të pastrojnë çatitë, pasi ka rrezik të bien. Si përgjigje për këtë emergjencë, përkrah impenjimit të autoriteteve, ndihet solidariteti njerëzor, që merr përmasa të jashtëzakonshme. Pavarësisht nga metrat e dëborës, 20 banorë të Pukës janë nisur drejt ndërtesës së shembur për të marrë vesh për familjen, që jetonte aty. 70 burra dibranë kanë transportuar deri në spitalin e Peshkopisë, për 5 orë, duke çarë dëborën dymetërshe, një 22 vjeçare, e cila humbi fëmijën 4 muajshe në bark e rrezikonte edhe jetën. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka dhënë urdhër të transportohen shtatzënat 7 muajshe e sipër në spitalet më të afërta dhe të mbahen nën kontroll, pasi emergjencat e fundit, në të cilat është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, kanë të bëjnë pikërisht me gratë, që presin fëmijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.