2012-02-14 16:28:38

Atë Lombardi: ka nga ata, që duan ta çkurajojnë Papën e ta pështjellojnë Kishën, por gënjejnë vetveten


Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, bëri të njohur mbrëmë një notë mbi dokumentet, që po qarkullojnë këto ditë nëpër gazetat italiane e që flasin për një komplot kundër Papës Benedikti XVI. I quan përpjekje për të hedhur baltë mbi Vatikanin e mbi Kishën Katolike. Por ta dëgjojmë notën e tij të plotë, në një prononcim për shtyp të atë Lombardit, nga mikrofoni i Radio Vatikanit:RealAudioMP3

“Sot, duhet t’i kemi të gjithë nervat e forta, sepse askush nuk mund të çuditet më për asgjë. Administrata amerikane pati të bëjë me “wikileaks”, Vatikani i ka tani “leaks”-at e vet, pra, daljen e dokumentave nga brenda, në përpjekjen për të krijuar përshtjellim e turbullim dhe për të lehtësuar vënien e Vatikanit, të qeverisjes së Kishës e të vetë Kishës, nën një dritë të keqe.
Prandaj, të qetë e gjakftohtë, duke përdorur me mençuri arsyen, gjë që priren të mos e bëjnë mediat. Janë dokumente me natyrë e rëndësi të ndryshme, lindur në kohë e situata të ndryshme: një gjë janë diskutimet për administrimin më të mirë ekonomik të një institucioni me shumë veprimtari materiale, si Guvernatorati; tjetër janë reflektimet mbi çështjet juridike e normative, që po diskutohen e për të cilat është e natyrshme të ekzistojnë opinione të ndryshme; tjetër gjë akoma, janë kujtimet plot përçartje, që asnjë person me pak tru nuk mund t’i konsiderojë serioze, si ato të fundit për komplotin kundër jetës së Papës. Por kaq mjafton: paraqitja e të gjithave bashkë krijon pështjellim. Një informacion serioz duhet të dijë t’i ndajë çështjet dhe ta dallojë kuptimin e tyre të ndryshëm. Është e qartë se veprimtaritë ekonomike të Guvernatoratit duhet të administrohen me urti e rigorozitet; është e qartë se IOR-i (Instituti për Veprat Fetare) dhe veprimtaritë financiare duhet të ndërthuren si duhet me normat ndërkombëtare kundër pastrimit të parave. Këto janë direktivat e Papës, dihet. Ndërsa, është njëlloj e qartë se historia e komplotit kundër Papës, siç e thashë që në fillim, është përçartje, marrëzi, e nuk meriton të merret seriozisht.
Sigurisht, është i trishtueshëm fakti, që kalojnë pabesisht dokumente nga brenda jashtë, për të krijuar konfuzion. Përgjegjësia bie si mbi njërën, ashtu edhe mbi anën tjetër. Së pari, mbi ata, që i nxjerrin këto dokumente, por edhe mbi ata, që i përdorin për qëllime, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me dashurinë e pastër për të vërtetën. Prandaj, duhet të rezistojmë e të mos lejojmë të na gëlltisë vorbulla e pështjellimit, sepse këtë duan keqbërësit. Duhet të ruajmë aftësinë e arsyetimit.
Në një farë mënyre – siç tregon urtia e lashtë njerëzore e shpirtërore – ashpërsimi i sulmeve do të thotë se është në lojë diçka e rëndësishme. Serisë së gjatë të sulmeve kundër Kishës për shkak të abuzimeve seksuale, iu kundërvu, me të drejtë, një impenjim serioz dhe i thellë përtëritjeje. Jo një përgjigje afatshkurtër, por pastrim e rinovim. Tani, e kemi marrë në dorë situatën dhe po krijojmë një strategji shërimi, përtëritjeje e parandalimi për të mirën e të gjithë shoqërisë.
Njëkohësisht, dihet se po ndërmerret një impenjim serioz për garantimin e transparencës së vërtetë në funksionimin e institucioneve vatikanase, edhe nga pikpamja ekonomike. Janë publikuar norma të reja. Janë hapur kanale marrëdhëniesh ndërkombëtare për kontrollin e tyre. Por, disa nga dokumentet e botuara kohët e fundit, përpiqen të hedhin baltë pikërisht mbi këtë impenjim. Paradoksalisht, kjo është një arsye më shumë për të vazhduar me vendosmëri në këtë drejtim, pa u tronditur. Nëse ngulmohet kaq tepër, do të thotë se është e rëndësishme. Kush mendon se po e çkurajon Papën dhe bashkëpunëtorët e vet në këtë impenjim, gabohet e gënjehet.
Përsa i përket çështjes së luftës për pushtet, duke pasur parasysh konklavën e ardhshme, dua të vë në dukje se papët e zgjedhur në këtë shekull, kanë qenë të gjithë personalitete me vlera shpirtërore jashtëzakonisht të larta e të padiskutueshme. Është e qartë se kardinajtë janë përpjekur e përpiqen të zgjedhin dikë, që e meriton respektin e Popullit të Zotit e mund t’i shërbejë njerëzimit të kohës sonë, me autoritet të madh moral e shpirtëror. Interpretimi si luftë për pushtet varet kryesisht nga fakti se ata, që e shkaktojnë dhe e bëjnë këtë luftë, janë shpesh të pagdhendur moralisht dhe shpirtërisht, të paaftë të shohin tjetër. Kush beson në Jezu Krishtin, fatmirësisht, e di se – sido që të thonë e të shkruajnë sot gazetat – shqetësimet e vërteta të atyre, që kanë përgjegjësi në Kishë, kanë të bëjnë me problemet e rënda të njerëzimit të së sotmes e të së nesërmes. Jo më kot besojmë dhe flasim edhe për ndihmën e Shpirtit Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.