2012-02-11 16:04:18

Paraqitet në Romë Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve. Koment i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë


Me paraqitjen e Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, përfundoi në Romë simpoziumi “Drejt shërimit e përtëritjes”, organizuar nga Universiteti Papnor Gregorian. Në këtë konferencë të rëndësishme për Kishën Katolike, që pati për qëllim hartimin e strategjive për parandalimin e abuzimeve seksuale të të miturve nga anëtarë të klerit, morën pjesë delegatë nga 110 konferenca ipeshkvnore e nga mëse 30 urdhëra rregulltare.RealAudioMP3
Në të u theksua se Kisha dëshiron të jetë pikë referimi globale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimet. Mjeti i parë konkret u paraqit pikërisht gjatë punimeve të simpoziumit. Është Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve, me seli në Munih të Gjermanisë, e cila do të bashkëpunojë me Institutin e Psikologjisë së Gregorianës dhe me Departamentin e psikiatrisë e të psikoterapisë së fëmijëve e të të rinjve në Ulm të Gjermanisë. Synohet formimi i veprimtarëve kishtarë, që të dinë si t’u përgjigjen rasteve të abuzimeve në Kishë. Prelatët e pranishëm, gjatë ditëve të simpoziumit, pranuan gabimet e bëra në të kaluarën, kur në disa raste, janë mbuluar abuzimet. “Kush nuk denoncon këto krime, është armik i Kishës”, theksoi promotori i drejtësisë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë, imzot Çarls Shikluna. Dëmshpërblimet për abuzimet seksuale e ndihmat për viktimat i kanë kushtuar Kishës 2 miliard dollarë. Këtij simpoziumi ia kushton editorialin e sotëm edhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Nga emergjenca në nisma koherente e të vendosura për të mbrojtur të miturit në Kishë, në shoqëri, në botë. Ky mund të jetë shkurtimisht, rezultati i Simpoziumit mbi temën e abuzimeve seksuale, që u zhvillua për tri ditë e gjysëm në Universitetin Gregorian në Romë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 100 konferencave ipeshkvnore, të shumë urdhërave rregulltare e të shumë specialistëve. Përgjegjësit më të lartë të dikastereve kryesore të Vatikanit, përfshirë në këtë tematikë, e mbështetën fuqimisht konferencën, e cila reflektoi mbi linjat e propozuara tashmë prej kohësh nga Papa: dëgjimi i viktimave, impenjimi në shërimin e tyre e në vendosjen e drejtësisë, formulimi e zbatimi i masave të frytshme parandaluese, që Kisha të jetë ambient mikpritës për të vegjlit e për të rinjtë dhe t’u sigurojë zhvillimin e tyre njerëzor e shpirtëror. Prejardhja universale e pjesëmarrësve tregoi se bashkësia e Kishës po ecën drejt dhënies së kontributit konkret, të rrënjosur thellë në realitetet e ndryshme lokale, në detyrën e madhe të mbrojtjes së të miturve. Realiteti i familjes, i institucioneve edukative dhe i botës së re të internetit, përhapja e pedopornografisë, formimi i meshtarëve dhe i edukatorëve, janë të gjitha përmasa, që duhen marrë parasysh në këndvështrimin tërësor mbi problemet. E përvoja shumëshekullore edukative e Kishës, e ndërthurur me kultura të ndryshme, bëhet banka unike e provës për zbatimin e parimeve konkrete të mbrojtjes së të miturve në kontekste të ndryshme. Duke vazhduar me vendosmëri rrugën e ndërmarrë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse e me njerëzit vullnetmirë të vendeve të ndryshme të botës, Kisha Katolike dëshiron të japë një kontribut thelbësor për një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen e njerëzimit: mbrojtjen e fëmijëve dhe të të miturve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.