2012-02-11 16:04:00

Kardinali Sarah mbi Mesazhin e Papës për Krezhmët


Javës që kaloi u paraqit mesazhi i Papës Benedikti XVI për Krezhmët e këtij viti, që do të fillojnë të Mërkurën e Përhime, më 22 shkurt. Tema është marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve: “Të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira” (Heb 10,24). Mesazhi u komentua të martën në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, nga kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, i cili vuri në dukje se si thirrja e Papës për të ndihmuar njëri-tjetrin, është jashtëzakonisht aktuale në këtë periudhë krize ekonomike:RealAudioMP3
“Nuk mund të heshtim, në vazhdën e asaj, që thotë Benedikti XVI, për bazën e krizës sonë financiare, e cila e ka themelin në lakminë, në kërkimin e shfrenuar të parasë, pa skrupull e pa marrë parasysh kë ka më pak e kë duhet të mbartë mbi vete pasojat e vendimeve të gabuara të të tjerëve. Kjo rendje pas parasë është mëkat”.
Duke u ndalur në atë pjesë të Mesazhit, ku Papa flet për korregjimin vëllazëror, kardinali Sarah theksoi se Kisha nuk mund të heshtë pra tragjedisë së sa e sa vetëve, që vdesin, sepse u mungon edhe minimumi i nevojshëm, ndërsa të tjerë pasurohen duke i shfrytëzuar. Kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum” vuri në dukje se rrënjët e padrejtësive e të individualizmit janë në refuzimin e Zotit:
“Kjo shoqëria jonë e shekullarizuar ka arritur të jetojë e të organizohet, pa marrë parasysh Zotin, ngaqë është përfshirë prej një varfërie më tragjike se ajo materiale, një varfëri e përfaqësuar nga refuzimi dhe përjashtimi i plotë i Zotit nga jeta shoqërore dhe ekonomike, nga revolta kundër ligjeve hyjnore e kundër atyre natyrore”.
Por kjo shoqëri, vazhdoi kardinali Sarah, mund të shkundet nga dëshmia ungjillore e besimtarëve e sigurisht, edhe të preket nga bamirësia e të krishterëve ndaj të varfërve. Nganjëherë, vërejti kardinali, ndërhyrja e Kishës shihet me dyshim, si dëshirë e saj për pushtet:
“Jo: Kisha shtyhet nga kujdesi i sinqertë për të mirën e njeriut e të kësaj bote. Veprimi i saj nuk frymëzohet nga dënimi, ose paditja, por nga ajo drejtësi e dhembshuri, që duhet të ketë edhe guximin për t’i quajtur gjërat me emrin e vet”.
Si dëshmi për këtë, kardinali Sarah përmendi faktin se ofertat për bamirësinë e Papës nuk janë pakësuar e pikërisht duke përdorur ato, në Haitin e shkatërruar nga tërmeti, po ndërtohet një shkollë dhe një qendër famullitare. Së shpejti, zv.sekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, mons. Segundo Tehado, ish-kreu i Karitasit të Shqipërisë, do të shkojë për vizitë në ishullin karaibik për të ndjekur punimet.








All the contents on this site are copyrighted ©.