2012-02-10 15:50:08

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan me temë: “Bashkimi i të krishterit me Zotin”


Nga data 26 shkurt deri më 3 mars, në Kapelën Redemptoris Mater, në Vatikan, do të mbahen ushtrimet shpirtërore, në praninë e Papës Benedikti XVI. Ushtrimet, që e përgatisin shpirtin për pritjen e Pashkëve, kanë për temë: “Bashkimi i të krishterit me Zotin”. Meditimet i janë besuar kryeipeshkvit kongolez të Kinshasës, kardinal Laurent Monsengwo Pasinya. Tema është marrë nga Letra e parë e Shën Gjonit: “E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e Tij, Jezu Krishtin” (I Gjn 1,3). Ushtrimet shpirtërore do të fillojnë të dielën, më 26 shkurt, në orën 18.00, me Ekspozimin e Eukaristisë, kremtimin e Mbrëmësoreve, meditimin, adhurimin dhe bekimin eukaristik. Gjatë ditëve të mëpasme, paraditeve, do të kremtohen Lavdet e Mëngjesit e Ora e Tretë, ndërsa pasditeve, do të vijohet me Mbrëmësoret, adhurimin e bekimin eukaristik. Të shtunën, më 3 mars, në orën 9.00, do të mbahet meditimi përfundimtar.
Kryeipeshkvi i Kinshasës, autori i meditimeve të sivjetme, impenjohet jashtëzakonisht në frontin e paqes dhe në zgjidhjen e problemeve shoqërore në Republikën Demokratike të Kongos. Ekspert i Biblës, në vitin 2008, kardinali Monsengwo Pasinya ka qenë sekretar i veçantë i Sinodit të ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit e, që nga viti 2010, angazhohet vazhdimisht kundër çdo dhune, në favor të pajtimit, të paqes e të dialogut në vendin e tij, por edhe në mbarë kontinentin afrikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.