2012-02-10 18:28:55

Solidariteti, sfidë e krizës: koment i Mesazhit kreshmor të Papës, nga Forumi i familjeve


“Të reflektohet për zemrën e jetës së krishterë: dashurinë, shërbimin, veprat e mira”. Për këtë bën thirrje Papa, përmes Mesazhit kreshmor, duke i ftuar të gjithë besimtarët e krishterë t’i kundërvihen indiferencës e shpërfilljes, që lindin nga egoizmi i fshehur pas maskës hipokrite të respektit për jetën private të tjetrit. Por, si mund të konkretizohet ftesa e Papës, në jetën e sotme të familjeve, dëmtuar rëndë nga kriza ekonomike. Intervistuam kryetarin e Forumit të shoqatave familjare italiane, Françesko Beleti:

Përgjigje: - Fjalët e Atit të Shenjtë janë shumë të qarta. Na ftojnë t’i kundërvëmë konsumizmit, respektin për vlerat e vërteta. Koha e Kreshmëve propozohet si rast i përshatshëm për të rizbuluar lidhjet vëllazërore dhe përmasën e bashkësisë. Është rast tejet i përshtatshëm për pendesë, për t’u kthyer në rrugën e Zoti, edhe atëherë kur në të katër anët të rrethojnë vështirësitë.

Pyetje: - Kujton Benedikti XVI në mesazh: “Një shoqëri, si kjo e sotmja, mund edhe t’i mbyllë veshët për britmën e atyre që vuajnë fizikisht e shpirtërisht. Kështu shoqëria, por jo bashkësia e krishterë. Besimtari duhet ta ketë të qartë se nuk mund të jetojë pa të tjerët, se jeta e tij lidhet ngushtë me atë të vëllezërve, në ditë të mira e të vështira, kur njeriu ka shumë para, e edhe kur s’ka asnjë kacille në xhep. Ç’mund të thuash, për shembull, për vetvrasjet e shumta në vendet e pasura të botës? E jo vetëm ndërmjet atyre, që nuk kanë punë as para, por edhe atyre që janë velur nga kamja?

Përgjigje: - Porosia e parë, që na jep Mesazhi, është të kemi kujdes për tjetrin, të mos e lëmë vetëm, të mos e shikojmë me indiferencë vuajtjen e tjetrit, të të tjerëve. Në rrethana të tilla, ndjejmë në shpirt thirrjen e fesë, të shpresës e të dashurisë së krishterë, që në Mesazhin e Papës nuk është aspak formale. Është ideja e përhershme e krishtërimit për t’i shtrirë dorën të afërmit, për të qenë gjithnjë pranë tij, në gëzim e në vaj, për ta shikuar tjetrin si vëlla. E kjo përvojë mund të luajë një rol të dorës së parë jo vetëm për ta shpëtuar tjetrin, por edhe vetveten, duke e pastruar shpirtin nga indiferenca dhe egoizmi, aq të përhapura në kohët tona. E kështu, askush nuk do ta ndjejë veten të vetmuar. Si ai që merr, ashtu edhe ai që jep. Ky është mandati më i fortë, në jetën familjare e në atë shoqërore.

Pyetje: - “E mira ekziston, e edhe fiton mbi të keqen”, shkruan Papa në Mesazh. Si t’ua përçojmë këtë forcë të rinjve, një pjesë e mirë e të cilëve e shikojnë me frikë të madhe të ardhmen?

Përgjigje: - Kjo është sfida më e madhe në fjalët e Papës: sfidë për ne të gjithë. Na nxit ta pyesim veten sa jemi të aftë të dëshmojmë, jo të tregojmë, se përvoja e krishterë të ndihmon t’i jetosh me gëzim si çastet e mira, ashtu edhe ato të vështira; si ditët e festave, ashtu edhe ato të zisë; si sukseset, ashtu edhe dështimet. Për këtë Papa i bën thirrje mbarë bashkësisë së krishterë: ta dëshmojë forcën e së mirës, në të gjitha format. Me një shikim miqësor. Me një buzagaz. Me një vepër të mirë. Ta dëshmojë Krishtin, me aftësinë për t’i qëndruar pranë të gjithëve, posaçërisht, atyre që vuajnë.

Pyetje: - Nga vrojtuesi juaj, a nuk shikoni familje tepër të shqetësuara në kushtet e sotme të jetesës, madje të sticuara, nga të dhënat e përditshme të ekonomisë në krizë, që nuk premtojnë asgjë të mirë?


Përgjigje: - Besoj se kjo është ligështi e mundshme. Por besoj edhe në një realitet të kundërt. E kjo, sepse shikoj familje që rezistojnë mrekullisht, falë solidaritetit me njëra-tjetrën, falë kujdesit për njerëzit e ligshtë, ndihmës për të rinjtë, që e kanë të vështirë të planifikojnë ardhmërinë, punën… Pikërisht të rinjtë janë më të prekurit nga kriza e nga atmosfera, që u pëshpërit në vesh se lidhjet familjare janë armiku më i madh i lumturisë. Ndërsa familjet dëshmojnë se, në çdo rrethanë, janë burim i solidaritetit, brenda e jashtë tyre. Por duhet pasur mirë parasysh që kjo atmosferë të mbretërojë në të gjithë shoqërinë, sepse të vetme, familjet janë gjithnjë më të lodhura. Papa, në këto Kreshmë, na bën thirrje pikërisht për këtë: me të tjerët, njeriu mund të bëhet më i lum; pa të tjerët, më i mjerë.










All the contents on this site are copyrighted ©.